Merkaton e Vllazninë e mbajnë pezull rinovimet e futbollistëve, që janë në fund të kontratave të tyre. Largimi i ish-drejtorit sportiv Matko Djarmati, dhe mungesa e një pasuesi deri më tani, e ka ngadalësuar proçesin e konfirmimeve te shkodranët.

Në fakt, tashmë vetëm një pjesë e vogël e futbollistëve më të rëndësishëm të Vllaznisë, janë në dyshim për qëndrimin e tyre në ekipin kuqeblu. Një nga të cilët ka arritur një akord paraprak, megjithatë jo të firmosur zyrtarisht, është portieri Bojan Zogoviç. Ky i fundit u ka dhënë fjalën drejtuesve për rinovimin e kontratës, të paktën edhe për një tjetër sezon.

Të njëjtën gjë të tillë kanë konfirmuar edhe Jonuzi dhe Da Silva, teksa që të dy kanë arritur një akord paraprak, megjithatë akoma nuk kanë firmosur. Ndërkohë, ditë më parë klubi njoftoi edhe rinovimin me Ardit Hoxhajn, i vetmi konfirmim zyrtar deri në këto momente.

Nga ana tjetër, Esin Hakaj është futbollisti i parë, i cili është në dyshim për të ardhmen e tij. Ish-mbrojtësi i Partizanit është në kërkim të një aventure jashtë vendit, teksa gjysma e së keqes për momentin është fakti se ai ka kontratë me Vllazninë, deri pas ndeshjeve të Conference League, ç’ka do të thotë se trajneri Josa do ta ketë në dispozicion të paktën në raundin e parë të këtij kompeticioni.

Vllaznia i ka ofruar rinovimin, por ofertat nga jashtë vendit e kanë vendosur në mendime 25-vjeçarin. Nga ajo që është raportuar deri më tani, dëshira e mbrojtësit është të luajë jashtë Shqipërisë, teksa Vllaznia është primare në vendin tonë.

Ndërkohë, Mevlan Adili është një tjetër futbollist, që duhet të vendosë për të ardhmen e tij. Mbrojtësi është treguar një lider në çdo ndeshje me kuqeblutë, dhe në rast largimi do të linte një hapësirë të madhe në defensivën e fituesve të Kupës së Shqipërisë.

Vllaznia ka kërkuar rinovimin e Adilit, por mbrojtësi është në pritje të ofertave nga jashtë vendit, të cilat në drejtim të tij nuk kanë munguar.
Maringlen ZHIVANI