Suksesi i deritanishëm shoqëruar me pesë fitore në po kaq ndeshje të luajtura, nuk është rastësi për ekipin e volejbollit të meshkujve të Vllaznisë. Sipas njërit prej titullarëve të këtij ekipi, Ditmir Rrashketës, kjo ka ardhur falë punës së mirë që është bërë aty.

“Kjo ecuri e deritanishme e ekipit tonë nuk ka qenë e rastësishme, por frut i punës shumë të mirë që kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Kemi mundur të gjithë rivalët direktë dhe kjo tregon forcën tonë, por njëkohësisht na bën të vetëdijshëm se mund t’ia dalim të shpallemi sërish kampion”- thotë ai.

Rrashketa ka provuar të shpallet kampion me Studentin por dhe me Vllazninë dy vjet më parë. I pyetur nëse kjo e fundit mund të arrijë ta përsërisë sërish edhe sivjet atë sukses, ai përgjigjet: “Do ishte diçka fantastike sepse çdo sportist për këtë lufton dhe ëndërron, të luajë ndeshje të mëdha dhe të fitojë trofe.

Do ishte diçka shumë e bukur nëse do të përsërisim suksesin e para dy viteve. Nëse skuadrat mbesin me kontigjentet aktuale, nuk kemi frikë askënd, por nëse Partizani dhe Erzeni marrin lojtarë të huaj në janar,do të ishte pastaj edhe për ne e nevojshme një gjë e tillë, për të rivalizuar si të barabartë me to”.

Megjithatë për të shkuar deri tek titulli kampion rruga është shumë e gjatë. Pikësëpari, Vllaznia duhet të mendojë për fitoren në ndeshjen e rradhës, atë ndaj Teutës që do të luajë pasditen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
© shkodrasport.com