Marash Kumbulla është një nga zbulimet më të mëdha në Serie A këtë sezon, ku me paraqitjet e shkëlqyera me Veronën, ka tërhequr vëmendjen e ekipeve të mëdha, që duan ta marrin atë në skuadër

Në një intervistë të dhënë së fundmi, shqiptari është shprehur se idhulli i tij është mbrojtësi i Juventusit, Xhiorxhio Kielini. Gjithashtu ai tha se ëndrra e tij është të luajë në Ligën e Kampionëve, ku për situatën aktuale tha se është krenar me atë që kryeministri Rama bëri për Italinë.

“Kur unë isha i vogël, kisha një poster të Kielinit në dhomën e gjumit. Gjithmonë e kam admiruar vendosmërinë dhe dëshirën e tij për tu përmirësuar. Ai është një luftëtar i vërtetë në fushë.

Sulmuesi që më ka futur në telashe deri më tani është Dybala për shkak të karakteristikave të tij fizike dhe teknike. Ëndrra ime është të luaj në Ligën e Kampionëve.

Jam krenar për gjestin e kryeministrit Rama në një moment kaq të vështirë për Italinë, e cila ka qenë gjithmonë në anën tonë sa herë që kemi nevojë. Unë e falënderoj atë dhe mjekët që kanë ardhur nga Shqipëria.”, u shpreh Kumbulla.