Shkodra njihet si qyteti i që prodhon një numër të lartë talentash dhe ndër vite ka furnizuar ekipet Kombëtare dhe ato të Superligës. Një nga këto është dhe 16 vjeçari Gerald Kubazi, i cili është pjesë e Vllaznisë U-17 nën urdhërat e trajnerit Gilman Lika.

Talenti i tij ka spikatur në këtë start të kampionatit ku në 5 ndeshje ka arritur të realizojë 10 gola. Kubazi ka mundur të regjistrojë dy tripleta në këto javë, ku është kthyer në një element kyç për ekipin e drejtuar nga trajneri Lika.

Protagonizmi i tij nga ndeshja në ndeshje ka marrë vëmendje dhe nga tifozët shkodran të cilët e shikojnë shumë shpejt në ekipin e parë. Kubazi pas këtyre performancave të mira ka dhënë një intervistë enkas për Newsport.al, ku ka treguar objektivat dhe ëndrrën e tij.

– Si ndiheni aktualisht, dhe cili është objektivi yt personal për këtë vit?

Aktualisht ndihem shumë mirë pasi po kaloj një formë të mirë fizike. Golat e realizuar më kanë rritur më tepër besimin dhe këtë gjë e ndjej dhe nga shokët e ekipit. E kemi nisur me këmbë të mbarë dhe për këtë jam shumë i lumtur. Objektivi im është fitorja në çdo ndeshje, pasi jemi një ekip me shumë element të mirë, më pas golat janë një bonus personal.

-Keni realizuar 10 gola në 5 javë kampionat, triplet ndaj Tiranës dhe triplete ndaj Akademisë Futbollit…

E saktë shpresoj që me ndihmën e zotit mos të ngelet me kaq, por golat të vijnë dhe të jenë sa më të vlefshëm për ekipin.


– Në Shkodër të gjithë flasin për talentin tënd. Sa motivuese është kjo për ju personalisht?

Në rradhë të parë u jam shumë mirënjohës të gjithëve, për vlerësimin që kanë ndaj meje. Gjithashtu është shumë motivuese për mua dhe është një shtys që në çdo paraqitje, stërvitje apo ndeshje të jap maksimumin tim për t’i falenderuar në një farë mënyre, pasi tifozët janë aty përkrah nesh në çdo ndeshje.

– Si e vlerësoni punën e trajnerit Lika?

Trajneri Lika, po bën një punë të shkëlqyer me ekipin dhe ne ndihemi shumë mirë. Për mua ka vleresimin maksimal, ktu ku jemi sot jemi falë punës dhe përkushtimit të profesorit ndaj nesh. Shpresoj shumë që dhe ne t’ia shpërblejmë me rezultate.


– Sa iu ka ndihmuar ai për tu rritur profesionalisht?

Profesori është gjithmonë pranë nesh me këshilla të vyera, pasi ka një eksperiencë të madhe mbi supe dhe këtë mundohet të na përçojë dhe me ne. Gjithmonë më shtyn të jap më të mirën time dhe çdo gjë është e bën në të mirë të të gjithëve ne.


– Ku e shikon Geraldi veten pas disa vitesh?

Dëshiroj që çdo gjë ta marr hap pas hapi. Si çdo fëmij shkodran dhe unë shpresoj që në një të ardhme të afërt të jem në ekipin e parë. Për këtë jam duke përpjekur shumë dhe jap gjithmonë më të mirën time që mundin e prindërve t’ua shpërblej.


– Cili është lojtari që ju e keni si shembull, për të arritur në nivelin e tij?

Mund të tingëllojë shumë klishe por për mua është Cristiano Ronaldo. Jo vetem per talentin që ka por dhe për disiplinën që ai ndjek me shumë përpikmëri, pasi kjo është më e rëndësishmja për një futbollist profesionist.


– A jeni një ndjekës i rregullt i ekipit të parë të Vllaznisë?

Vllazninë e ndjek në çdo ndeshje dhe me shumë dëshirë. Ndodh që mos të jem çdo herë prezent në stadium pasi ndikon dhe regjimi që duhet të ndjek. Por padiskutim që i ndejk me shumë pasion dhe vëmendje.


– Si iu duket ecuria e tyre në këtë sezon?

Ecuria e tyre ka ardhur në rritje ndeshje pas ndeshje, por siç ka thënë dhe trajneri Josa ekipi ka pasur disa oshilacione. Tani janë më solid dhe po bëjnë mirë në çdo ndeshje duke marrë rezultate pozitive. Ndeshjen me Kukësin ato fituan minimalisht por ishte një fitore tepër e rëndësishme, shpresoj që të arrijnë një fitore dhe me Tiranën.


– Të falenderoj për kohën dhe të uroj shumë suksese në karrierën tënde.

Ju faleminderit juve për mundësin dhe vëmendjen që i jepni futbollit të çdo moshe.