Nëse në sezonet e fundit Dinamo lëngonte, këtë vit e ka nisur me objektiva madhorë Kategorinë e Parë. Edhe pse janë 11 pikë larg kreut, stabiliteti që kanë treguar në lojë u jep shpresë bluve të kryeqytetit. Ndryshe nga e shkuara, tashmë kushtet stërvitore janë shumë herë më të mirë dhe mbi të gjitha financat.

Nëse dikur vuanin për rrogat, tashmë kanë marrë edhe shpërblime. E gjithë kjo situatë e bën Igli Allmuçën që të mos heqë dorë nga misioni “Superiore”.

Trajneri e ka të qartë se rrugëtimi nuk do të jetë i lehtë, por beson se kur janë edhe dy faza për t’u luajtur, mundësitë për t’u ngjitur në krye të Grupit A ekzistojnë. Në një rrëfim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i stolit dinamovit bën llogaritë e 14 javëve të para dhe zbulon planet për merkaton.

“Kemi bërë një kampionat të mirë do të thosha dhe kemi krijuar një filozofi loje. Pa dyshim që kemi pasur mundësi për më shumë, pasi cilësia në ekip nuk na mungon dhe rrjedhimisht duhet të përmirësohemi. Por, nëse bëjmë një bilanc të shpejtë pasi është mbyllur gjysma e parë e kampionatit, mund ta them me bindje se jemi në rrugën e duhur”, u shpreh fillimisht trajneri.

Gara është rritur ndjeshëm, sidomos me Vllazninë që po imponon veten, ndaj edhe Allmuca thotë: “Rivale i kemi që të gjitha skuadrat e grupit tonë, pasi secila ka objektivat e veta. Kush lufton për kreun, të tjera për pesëshen e parë dhe të tjera për mbijetesën. Megjithatë, unë besoj se ashtu si kemi hedhur ne hapa flas, do të gabojnë edhe rivalët tanë të kreut.

Vllaznia ka realisht një ekip të mirë. Ata janë të freskët në këtë Kategori të Parë, por vijnë me grup lojtarësh, të cilët kanë qenë me ta edhe në Kategorinë Superiore. Por, kur janë për t’u luajtur edhe dy faza, mendoj se edhe ata do të kenë përballje të vështira dhe do përplasen me njëra-tjetrën, ndërsa ne jemi pak më të favorizuar në këtë aspekt. Gjithsesi, jemi të përgatitur për çdo duel”.

Diferencat me kreun janë të mëdha, por plani i klubit vazhdon që të mos ndryshojë. Këtë e thekson edhe numri një i stolit të bluve, që thotë: “Ne vazhdojmë me të njëjtën strategji, kemi një ekip me lojtarë të rinj të talentuar dhe duam që t’u japim mundësinë që të rriten.

Por, edhe pse në moshë të re, ata kanë aftësinë që të na ndihmojnë për qëllimin tonë final. Pa harruar ndërthurjen me boshtin e ekipit me pjesën tjetër, futbollistët me eksperiencë që përbëjnë bazën dhe pjesën thelbësore të ekipit. Kështu, të gjithë bashkë duhet të bëjmë që Dinamo të jetë kandidate kryesore për të synuar ngjitjen.

Synimi ynë kryesor është vendi i parë dhe ngjitja në Superiore, pasi derisa matematika të na e lejojë, ne do e tentojmë. E dimë që është e vështirë. Do jemi korrektë e seriozë dhe do bëjmë maksimumin për të arritur këtë objektiv madhor. Është i vështirë, por jo i pamundur”.