Partizani nuk e ka nisur mirë sezonin në Kategorinë Superiore. Të kuqtë pas 10 ndeshjesh kanë grumbulluar vetëm 12 pikë dhe janë në vendin e shtatë. Kreyqytetasit kanë shënuar 10 gola, ndërsa kanë pësuar 9. Drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama, ka dhënë një intervistë për Sport News në News 24, ku është pyetur për tema të ndryshme.

Rama shprehet se pavarësisht rezultateve jo të mira, ka patur këmbëngulje për të vijuar punën me trajnerin Ilir Daja. Sa i përket merkatos, Rama thotë se gjërat mund të kishin shkuar më mirë, pasi disa elementë cilësorë mund të mbaheshin. Diçka u tha edhe për arbitrat.

“Fillimi i keq? Nuk isha i kënaqur me pikët e marra e as me lojën e shprehur. Duke u nisur nga ajo që bëmë keq, u përpjekëm që të forconim grupin e lojtarëve. Nganjëherë të duhet shumë kohë. Megjithë situatën e vështirë, ne vijuam punën me durim. Ekipi pati një krizë. Ka patur ndeshje kur ekipi ka luajtur mrië dhe nuk ka marrë rezultatet e duhura.

Ilir Daja- Bashkë me presidentin Demi ngulëm këmbë që të vazhdonim projektin me Dajën duke u bazuar te aftësitë e stafit, duke besuar që ekipi do të gjente mënyrën të shprehej në mënyrën e duhur. Futbolli është një sport i bukur edhe pse nuk është një shkencë ekzakte e nganjëherë nuk merr rezultatet që pretendon.

Ka edhe ai një integritet moral të laborueshëm. Mua më intereson që të vazhdojë puna dhe jo thashethemet. Po nuk u kuruan të gjitha detajet, nuk mund të bëhet asgjë. Me Teutën nuk fituam në 6 minutat e fundit, por u shpërblyem për diçka që nuk morëm prej një viti. Pra, na ndihmoi fati. Mundohem të mos jem tifoz.

Merkaton e ndërtuam në bazë të asaj që donte trajneri. Nuk jemi aty ku donim të jemi. Kampionati shqiptar është i veçantë, pasi përballesh shumë herë me një skuadër.

Ku gaboi Partizani- Me një planifikim më të mirë, mund të mbanim ndonjë lojtarë të mirë. Kemi bërë zëvëndësimet që duhen në mbrojtje. Kemi plotësuar të gjitha repartet që duheshin. Më besoni që ka qënë i përbashkët vendimi që të mbesim me këta sulmues që kemi.

Arbitrat- Ata janë aty që të vendosin drejtësi. Kam durim por ngre zërin kur ka situata jo të mira. Nuk është bukur kur vidhet diçka. Ka raste kur duhet të harxhoj energjitë e mia” – tha ai./newsport/