Me apo pa rifillimin e kampionatit, duket se rrugëtimi i skuadrave shqiptare në edicionin e ri të Kupave të Europës mund të jetë i caktuar që tani nga procesi i licencimit të tyre në arenën ndërkombëtare. FSHF ka bërë të ditur se me 30 prill është mbyllur zyrtarisht aplikimi sa i përket kriterit financiar dhe rezulton se 6 nga 10 skuadrat e Superiores kanë probleme të mëdha me dokumentacionin dhe rrezikojnë të mos marrin dritën e gjelbër nga UEFA.

Problemi kryesor i klubeve shqiptare si zakonisht është ai i borxheve ndaj palëve të treta, gjë që ka sjellë vazhdimisht edhe bllokimin e llogarive nga Drejtoria e Tatimeve. Nëse një gjë e tillë nuk i ka penguar klubet që të gjejnë akordin me FSHF për t’u regjistruar në kampionat, ndryshe është situate me UEFA-n, e cila nuk bën lëshime në këtë aspekt e ka vendosur që të mos bëjë as në këtë edicion, pavarësisht krizës së koronavirusit.

VIP Sport ka mësuar se janë 5 klube të Superiores të cilat kanë prej kohësh llogaritë e tyre të bllokuara: Tirana, Vllaznia, Flamurtari, Luftëtari dhe Bylis. Ndërkohë, atyre u është shtuar në janar 2020 edhe klubi i Skënderbeut, para se të fillonte ndalesa e kampionatit për shkak të pandemisë.

Pikërisht fakti që këto bllokime të llogarivë janë bërë para fillimit të pandemisë, penalizon klubet pasi nuk mund të përdorin koronavirusin si justifikim për telashet e tyre të zakonshme financiare. Kriteri i shlyerjes së detyrimeve ndaj palëve të treta është një prej kërkesave më të forta që ka UEFA dhe që ka çuar vazhdimisht në përjashtimin e klubeve nga listat europiane.

Tre vite më parë, përfshirja e Tiranës në listën e UEFA-s edhe pse kishte një detyrim të tillë me llogari të bllokuara, solli më pas dënimin e klubit bardheblu me mosdhënien e shpërblimit të caktuar për pjesëmarrjën në Ligën e Europës si dhe një faturë financiare të rëndë prej 300 mijë eurosh gjobë ndaj FSHF-së që mashtroi me dokumentacionin që u dorëzoi ndërkombëtarëve.

Në një situatë të tillë, rrezikohet që rifillimi i kampionatit të jetë i kotë, pasi 4 skuadrat që shkojnë në Europë do të jenë të caktuara gjithsesi me Kukësin, Laçin, Teutën dhe Partizanin që do të kishin vendin e garantuar, ndërsa për klubet e tjera gara nuk do të kishte vlerë për këtë objektiv. /vipsport/