Vullnet për të mbyllur sezonin. Është ky përfundimi në të cilin ka arritur asambleja e Ligës së Serisë A pas mbledhjes së fundit që u zhvillua në videokonferencë. Në qendër të diskutimeve ishin çështjet mbi të drejtat televizive dhe kësti (i fundit prej 222 mln €) që nuk është paguar ende nga televizionet.

Ky qëndrim i klubeve vjen në 24 orë distancë nga deklarata e ministrit Spadafora që pati nënvijëzuar se nëse nuk gjendet një akord për rinisjen e sezonit, qeveria do të marrë përsipër mbylljen e tij. Siç thamë, klubet e Serisë A dëshirojnë ta përfundojnë normalisht sezonin.

Nga ana e tij, kryetari i Ligës së Serisë A, Paolo Dal Pino, garanton vullnetin e të gjithëve për të bashkëpunuar me qeverinë e për të pasur dialog konstruktiv të vazhdueshëm sepse për të rinisur sezonin, nevojitet që të gjitha palët e përfshira të jenë në një mendje. Asambleja e djeshme shërbeu pikërisht për të dalë hapur në pozicionet e tyre, sidomos pas zërave se presidentët e Serisë A ishin të ndarë në grupe për sa i përket mbylljes së sezonit.

TOPI I KALON QEVERISË – Në fakt, shumica e klubeve të kampionatit italian kanë problemin e financave. Arkëtimet e munguara në rast ndalese të kampionatit do të shkaktonin një dëm total prej mbi 700 milionë eurosh.

Duke dashur të shmangin përgjegjësitë direkte, presidentët e skuadrave synojnë që të jetë qeveria që do të marrë vendimin për vazhdimin e sezonit, cilido qoftë ai. Duke kaluar topin në fushën e kryeministrit Konte dhe ministrit Spadafora, klubet do të shmangin çdo përballje juridike me televizionet dhe dëme të mëtejshme financiare.

TELEVIZIONET – Kompanitë (“Sky”, “Dazn”, “Img”)që kanë të drejtën për Serinë A ndërkohë qëndrojnë në pritje. Afati për të derdhur këstin e fundit sezonal prej 222 milionë eurosh skadon të hënën, por ato presin vendimin për vazhdimin e sezonit përpara se të kryejnë shlyerjen e pagesës.

Edhe klubet në këtë rast qëndrojnë në pritje, pasi televizionet kanë për detyrë ligjore të njoftojnë zyrtarisht mungesën e pagesës, e cila në rast se verifikohet, do të detyrojë palën tjetër të marrë nisma ligjore.

Në rast se vendoset rikthimi në fushë, kompanitë (“Sky”, “Dazn”, “Img”) do të kenë vetëm pak kohë për të shlyer këstin e fundit. Cilido qoftë përfundimi, në verë klubet dhe televizionet do të përballen përsëri për të vendosur rregullat për ato që do të jenë sezonet e ardhshme.