Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka deklaruar se Qeveria e Shqipërisë ka rritur me 160 milionë lekë buxhetin për federatat sportive dhe sportistët elitarë.
Veç mbështetjes për aktivitetet e ndryshme, do ketë shpërblime për sportistët që çojnë lart flamurin kuqezi në aktivitetet ndërkombëtare.
“Qeveria miratoi sot një mbështetje financiare shtesë për sektorin e sportit, një buxhet prej 160 milionë lekë i adresohet federatave sportive dhe sportistëve elitarë. Qëllimi këtij vendimi është që të garantohet vazhdimësia e aktivitetit sportiv nga federatat sportive.
Kjo pasi buxheti fillestar i akorduar ishte i pamjaftueshëm për t’i plotësuar të gjitha nevojat e tyre që të marrin pjesë në kampionate qofshin Ballkanike, Europiane apo Botërore.Me këtë shtesë fondesh shmangim rrezikun që Shqipëria të mos përfaqësohet, apo të cenohej imazhi i sportit shqiptarë në arenën ndërkombëtare.
Nëpërmjet kësaj shtese buxhetore ne mundësojmë që nga nesër të shpërblejmë këta sportistë që na kanë nderuar denjësisht në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë që synojmë mbështetjen e kampionateve europiane në Shqipëri, siç është ai i peshëngritjes që do të zhvillohet në Tiranë”, tha Kushi.