Mbrëmjen e kaluar, Rudi Vata ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, aty ku ka dhënë një intervistë të gjatë dhe ka folur edhe sa i përket djalit të tij, Rocco Vata. Ky i fundit po përfaqëson Irlandën U-19 dhe njëkohësisht është pjesë e ekipit të dytë të Celtic.

Pritshmëritë janë të larta, por Rudi nuk e sheh si një mundësi kalimin e djalit të tij te Shqipëria nëse nuk ka njerëz serioz dhe projekte serioze për të ardhmen e Roccos tek Kombëtarja. Të ardhmen e djalit të tij, Rudi Vata mund t’ia besojë pa frikë një njeriu siç është Vioresin Sinani, i cili ka derdhur shumë djersë dhe ka sakrifikuar për futbollin.

Një gjë të tillë ai e thotë haptazi, teksa shtoi se ai nuk mund t’ia besojë djalin dikujt që është futur nga rruga për të luajtur bixhoz me futbollin. Poashtu, Vata u shpreh se Roccon e ka zhvilluar sistemi në Skoci, ndërsa theksoi se nëse ai vjen në sistemin shqiptar, do dështojë menjëherë, sepse nuk do të ketë mundësi që t’i bëjë hapat siç duhet.

“Roccon e ka çuar Zoti me talent. Normalisht, kur Zoti ty ta jep diçka, është dhuratë e Zotit. Sigurisht që, ai e kupton dhe punon. Sistemi e ka zhvilluar atë, sistemi ia ka dhënë dozat e mjaftueshme, sistemi ka bërë një projekt teknik për të dhe sistemi i jep dozat e duhura dhe e rrit gradualisht. Rocco, po erdhi në sistemin shqiptar dhe në kampionatin shqiptar, do dështojë, sepse nuk ka mundësi që t’i bëjë hapat siç duhet. Ky është problem i madh.

Unë shpresoj shumë që Rocco të bëhet për të qenë futbollist i një Kombëtareje. Unë jam një prind që po kujdesem që Rocco të marrin vendimet e duhura, por deri në këto situata që jemi, ai është vetëm një djalosh i ri që nuk është gati për ndonjë ekip kombëtar.

Kur të bëhet gati për të qenë një futbollist i ekipit kombëtar, sigurisht që do ketë gjithë opisonet e hapura. Me njerëzit seriozë dhe me njerëzit që vërtetë duan të bëjnë një diçka serioze për futbollin shqiptar, sigurisht që unë jam gati për t’u ulur dhe për të diskutuar për projektin që kanë.

Unë dua që fëmija im të marrin maksimalen prej karrierës së tij. Në qoftë se, njerëzit janë seriozë, në qoftë se njerëzit kanë projekte serioze për ta ndërtuar dhe për të rritur nivelin e futbollit shqiptar, sigurisht që unë ia besoj djalin nesër Vioresin Sinanit. Ia besoj sepse ky ka derdhur djersë, ka sakrifikuar, por nuk mund t’ia besoj dikujt që është futur nga rruga për të luajtur bixhoz me futbollin, sepse nuk mundet ai person për t’u afruar dhe për të biseduar me mua.

Normalisht, nuk zhvillohet futbolli shqiptar, sepse punohet me mentalitet shqiptar. Në qoftë se, do të bëhesh futbollist i niveleve të larta, duhet ta ndërtosh sistemin të tillë. Prandaj, në qoftë se ka njerëz të nivelit shqiptar dhe duan të diskutojnë me mua për të ardhmen e djalit tim, duhet për të ardhur Vioresin Sinani, që ka mentalitet elitar, që ka qenë pjesë e ekipeve kombëtare, që ka bërë 350-gola. Me këtë unë mund të diskutoj, nuk mund të diskutoj me një njeri që nuk ka bërë dy metër vrap në rrugë.

Përderisa mua nuk më ka ardhur një ftesë zyrtare, përderisa mua nuk më ka dërguar kush një email, nuk kanë pse bëjnë akuza ndaj meje. Unë nuk jam një person anonim. Unë e kam një lloj reputacioni në futbollin shqiptar dhe sigurisht unë kam ndërtuar karrierën time në Shqipëri.

E kam pasur shumë më të vështirë për të vazhduar në Europë, por me mua deri më sot asnjë përfaqësues i futbollit shqiptar nuk ka pasur interes ndaj Rocco Vatës. Nuk ka asgjë zyrtare. Prej momentit që njerëzit mendojnë të bëjnë diçka serioze vijnë, por ata nuk kanë diçka serioze dhe prandaj nuk kanë ardhur.

Unë nuk mund të funksionoj me njerëz që nuk janë seriozë dhe me njerëz që nuk kanë qëllime serioze”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i Kombëtares, Rudi Vata.
Maringlen ZHIVANI