Ada e Velipojës ka humbur me rezultatin e thellë 3-0 përballë Bulqizës, në ndeshjen e luajtur për javën e shtatë. Takimi u zhvillua në Qendrën e Kompleksit Stërvitor të Ekipeve Kombëtare në Kamëz dhe ka folur kryesisht për vendasit, me Adën që në pjesën e dytë mbeti edhe me 10-futbollistë, pas daljes me karton të kuq të Mateo Pjetrit.

Në rastet që kishin, Bulqiza u tregua më e saktë përpara porte dhe të tre golat e takimit erdhën në pjesën e dytë. Fillimisht ishte Soumah që kaloi në avantazh ekipin e tij, duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së futbollistëve të Adës.

Goli i dytë erdhi në minutën e 74’ nga Taku, pas daljes me karton të kuq të Pjetrit. Gjithçka u mbyll nga goli i tretë që u shënua në minutën e 88’ po nga Taku. Tashmë, ndeshja nuk do të kishte më histori dhe gjithçka u mbyll me fitoren e Bulziqës me rezultatin 3-0.

Pas kësaj humbjeje, Ada e Velipojës mbetet në vendin e parafundit në tabelën e klasifikimit, në kuotën e vetëm një pike. Ndeshjen e rradhës, velipojakët do ta luajnë pas pauzës së kampionatit, teksa në përballjen e fundit ndaj Bulqizës treguan se pas kësaj sfide i pret një punë e madhe për të mbijetuar në Kategorinë e Dytë. /Maringlen ZHIVANI/

Bulqiza-Ada 3-0

Formacioni i Adës (4-1-4-1): Ndoj, Sekja, Pali, Curri, Pjetri, Frani, Laçeja, Asllani, Xhahysa, Kaçubela, Frroku (u aktivizuan: Marku, Hurmi) Tr: Altin Xhahysa