Për Rudi Vatën, këtë vit më shumë se kurrë, Vllaznia ka shanse për të fituar titullin kampion. Ish-mbrojtësi i kuqebluve dhe ish-kapiteni i Kombëtares tha se shkodranët kanë luajtur deri më tani me gjysmën e ekipit dhe me ndonjë përforcim në janar, Vllaznia mund të fitojë titullin kampion.
Në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, Vata u shpreh se për ekipin shkodran është avantazh që në stafin e tij ka trajnerë kampiona, siç janë Josa, Sinani dhe Miloti, të cilët sipas tij e dinë se si fitohet kampionati. Ndërkohë, poashtu, ish-mbrojtësi i kuqebluve theksoi se Vllaznia do arrijë ta fitojë Superkupën ndaj Tiranës, edhe nëse Latifi nuk do të jetë i gatshëm.
“Ajo që Vllaznia ka avantazh është që ka në staf trajnerë kampiona dhe e dinë si fitohet kampionati. Josa ka eksperiencë të jashtëzakonshme, poashtu edhe Sinani dhe Miloti janë trajnerë që e dinë si fitohet kampionati.
Sigurisht që, duhet durim dhe duhet për të punuar shumë, sepse nuk fitohet kampionati lehtë në Shqipëri. Kjo nuk është e lehtë dhe sigurisht që, financat janë tepër të rëndësishme. Në këtë sezon, më tepër se asnjëherë tjetër, unë mendoj që Vllaznia ka mundësi për ta fituar kampionatin.
Me rikthimin e të dëmtuarve dhe me periudhën e pushimit për shkak të kampionatit botëror, skuadra ka për t’u kompletuar, ka për të ardhur më në grup. Do të rritet edhe gjendja fizike besoj.
Aralica dhe Kaina janë dy djem që kanë shumë aftësi dhe janë dy sulmuesa “pykë”, por në fund të fundit, çdo gjë është e matur me golin. Në qoftë se, drejtuesit e Vllaznisë sjellin një sulmues që shënon 10-gola deri në fund të kampionatit, ata dalin kampion. Jam i sigurt që dalin kampion, sepse unë e shikoj që me Latifin dhe me një sulmues, Vllaznia bëhet shumë e fortë dhe shumë e frikshme.
Vllaznia do ta fitojë Superkupën. Edhe nëse nuk është Latifi, Vllaznia e fiton Superkupën. Me atë që kam parë unë tek Vllaznia këto ndeshje të luajtura deri më tani, unë mendoj se nëse Vllaznia nuk e rrespekton më tepër se duhet Tiranën, e fiton ndeshjen.
Me atë që kam parë unë, normalisht, Vllaznia më është dukur skuadër më e mirë se Tirana, edhe në personalitet, edhe në qarkullimin e topit. Vllaznia ka kualitete më të mira. Jam i mendimit se Vllaznia ka skuadër shumë më të mirë se Tirana. Mua më me karakter më është dukur Vllaznia”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-mbrojtësi dhe ish-trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata.
Maringlen ZHIVANI