Ai vetë tashmë e ka kuptuar se nuk ka më të ardhme tek Vllaznia pas këtij sezoni. Marëdhëniet me ndonjërin prej drejtuesve të klubit nuk janë të mira dhe për më tepër, pikëpamjet e tyre për futbollin janë krejt të kundërta. Rudi Vata për këtë arsye, e ka të qartë se më 31 maj, do zbresë nga “anija” ku ka hipur. Do zbresë në tokë, për të shkuar në një destinacion tjetër. Fakti që klubi shkodran ka filluar të firmosë kontratat me futbollistët e sezonit të ardhshëm dhe ai nuk pyetet, tregon se “krisja” tashmë ka filluar me klubin. Nuk pyetet trajneri por njerëz të tjerë dhe Vata mendon se ky nuk është profesionalizëm. Megjithatë, trajneri aktual I kuqebluve mendon ta vazhdojë punën e tij me të njëjtën linjë si deri tani. Në mënyrë që në fund të majit të lërë një Vllazni sa më të shëndetshme. Por sipas tij, operacioni nuk përfundon aty. “ai duhet të vazhdojë edhe më tej sepse po mbeti me aq, plagët do shtohen dhe skuadra nuk do shërohet asnjëherë”-thotë Rudi. Në një rrëfim për gazetën online www.shkodrasport.com, trajneri I skuadrës shkodrane ka folur hapur, pa doreza, duke anatemuar direkt edhe njerëzit me të cilët ai nuk ka marëdhënie aspak të mira.

-Vata, si duket gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes me Laçin?

-E mirë mendoj unë. Jemi stërvitur mirë ndonëse në kushte jo të mira atmosferike por djemtë janë treguar profesionistë të vërtetë dhe kanë zbatuar programin stërvitor ashtu siç duhet. Kemi patur pak probleme me Morenon që ka kaluar një gjendje gripale dy ditët e fundit dhe ndoshta nuk do jetë I gatshëm për ndeshjen me Laçin ndërkohë që është përmirësuar gjendja e Brnoviç I cili do jetë pjesë  e skuadrës në këto ndeshje dhe mund të luajë disa minuta.

– U largua Da Silva por çuditërisht pas një muaji stërvitje me Vllazninë, kalon tek Skënderbeu. Ju vjen keq për këtë?

-Sigurisht që me vjen keq që ky lojtar nuk është pjesë e Vllaznisë sepse unë kam ngulur këmbë që ai të luante për ne. Por meqë drejtuesit e klubit tonë nuk gjetën një marrëveshje me ata të Bylisit, lojtari nuk mund të qëndronte pa luajtur dhe zgjodhi në fund Skënderbeun. Kjo është mëse normale. Ai besoj se nuk I ka asgjë borxh Vllaznisë.

-Por në Shkodër drejtuesit e klubit mendojnë ndryshe. 6 mijë eurot e harxhuara për të dhe mënyra si iku lojtari nga aeroporti për tek Skënderbeu, lënë pak dyshime…

-Mendoj se shpenzimet që janë bërë për këtë lojtar, janë më të pakta se aq sa janë deklaruar. Pastaj nëse janë harxhuar paratë për ta sjellë këtë lojtar nga Brazili, drejtuesit e klubit Vllaznia pikësëpari duhej të kishin arritur marrëveshjen me presidentin e Bylisit dhe jo me fjalë por me shkrim. Njerëzit që merren me administrimin e klubit shkodran, më vjen keq ta them por nuk dinë ta bëjnë ashtu siç duhet punën e tyre. Edhe bileta e kthimit për në Brazil nuk duhej të ishte prerë pasi lojtari e kishte deklaruar dhe ishte marrë vesh që është federuar me Skënderbeun. Pra këto shpenzime që janë bërë, kanë ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të punës nga drejtuesit e klubit. Kam dëgjuar që është përmendur fakti që Da Silva ka qenë një lojtar I menaxhuar nga Rudi Vata. Përmes gazetës tuaj, po e them publikisht që nuk kam asnjë lidhje me këtë lojtar në fushën e menaxhimit. Ai ka menaxher tjetër. Pastaj Rudi Vata ka punuar për një kompani e cila nuk ka në listën e lojtarëve të saj asnjë futbollist nën 1 milionë euro dhe nuk merret me lojtarë të tillë që vlejnë ndoshta vetëm për kampionatin shqiptar.

-Ndërkohë ditët e fundit, drejtuesit e klubit shkodran kanë filluar firmosjen e kontratave me futbollistët për sezonin e ardhshëm. Ju kanë vënë në dijeni për këtë gjë?

-E kam marrë vesh vetëm përmes shtypit.

-Kjo do të thotë se drejtuesit e klubit ndoshta nuk ju llogarisin më trajner për sezonin e ardhshëm?

-Përderisa po veprojnë në këtë mënyrë, ndoshta. Por duhet ta dini se edhe unë vetë nuk e kam ndër mend të vazhdoj më tepër se pas datës 31 maj. Nuk mund të vazhdoj të punoj me një njeri si Kujtim Shaba me të cilin më ndajnë parime diametralisht të kundërta të punës. Dhe përderisa po shoh që drejtuesit e lartë të klubit, I besojnë gjithçka këtij njeriu, sigurisht që unë do ta drejtoj “anijen” deri në fund të kontratës që kam dhe më pas do zbres në tokë për të vazhduar rrugën time.

-Pse gjithë kjo “luftë” me administratorin Shaba?

-Mendoj se nuk është luftë. E thashë edhe më lart, parimet e punës time dhe të tiat, janë diametralisht të kundërta dhe në kushte të tilla njëri duhet të tërhiqet. Ai ka më shumë mbështetje nga drejtuesit e Bashkisë dhe prandaj, do ta çoj këtë misionin tim deri në fund dhe pastaj do shoh punën time.

-Drejtuesit e lartë të klubit mund të kenë plane të tjera ndoshta për të ardhmen. Pse nxitoheni?

-Po I konstatoj edhe planet e klubit. Pëderisa fillon firmosja e kontratave me lojtarët dhe trajneri nuk pyetet, kjo tregon se ai që vendos edhe për çështjet teknike të skuadrës është vetëm administratori I klubit. Mesa di unë, edhe drejtori sportiv për arsyet e tij familjare, nuk është marrë gjatë kësaj periudhe me këtë punë dhe prandaj, me të gjitha këto është marrë vetëm administrator I cili duket se ka kompetenca fuqiplote edhe për çështjet teknike të skuadrës. Në kushte të tilla, e përsëris, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të largohem pasi ta kem çuar deri në fund këtë misionin tim të këtij sezoni.

-A mendoni se me këto çfarë po thoni, do ta keni të vështirë të punoni I qetë gjatë kësaj periudhe që ka mbetur deri në fund të majit?

-Jo, nuk do ta kem të vështirë. Unë kam punë vetëm me stafin tim dhe me asnjë tjetër. Kam një staf të mrekullueshëm, kam një Sinan që është legjendë e futbollit shkodran dhe që klubi Vllaznia duhet ta promovojë shumë, kam një këshilltar si Ramazan Rragami shumë I njohur dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë, djem të rinj dhe me shumë dëshirë për të punuar. Me këto njerëz e bëj punën unë dhe nuk kam pse të kem të mendoj se do ta kem të vështirë punën në të ardhmen.

-Dhe çfarë pretendoni të arrini megjithëse shihet që drejtuesit e klubit nuk I keni në anën tuaj?

-Pretendoj të arrij më të mirën e mundshme me këtë ekip, si në kampionat ashtu edhe në kupë. E rëndësishme është që kur të iki unë, të lë një Vllaznia të pastër, pa vese dhe të shëndetshme. Kuptohet që ajo do ta ketë të nevojshme vazhdimin e operacionit për ta pastruar nga të gjitha sëmundjet që e kanë pushtuar sepse nëse ky operacion ndërpritet në mes pas largimit tim, pasojat kanë për të qenë të mëdha për Vllazninë.

-Së fundi, ndeshja e rradhës me Laçin. Vllaznia shkon për fitore?

-Ky është objekjektivi jonë për çdo takim. Sigurisht që është takim I vështirë sepse edhe Laçi do kërkojë fitoren por do shohim çfarë do ndodhë. E rëndësishme është të marrim një rezultat sa më të mirë në këtë takim, për të menduar pastaj për takimin shumë të rëndësishëm për kupë në mesjavë me Skënderbeun.

Gjergj KOLA