Nëse duhet të njihesh me futbollin shqiptar atëherë duhet të kuptosh që nuk duhet të mësohesh me fytyra të njëjta në një pankinë për një kohë të gjatë. Një traditë e presidentëve shqiptarë që preferojnë të reagojnë shpejt dhe të mos presin.

I pari i shkarkuar nga detyra është trajneri i Teutës, Renato Arapi. Fillimi i këtij sezoni u parashikua pak a shumë nga tekniku, i cili para nisjes së kampionatit u shpreh se me merkaton e bërë nga Teuta, objektivat do të ishin minimal.

Pas 3 javëve të para, Teuta e Arapit mori vetëm 2 pikë në 3 ndeshje dhe kjo bëri që të vinte shkarkimi i teknikut durrsak. Vendin e tij tashmë e ka marrë Bledi Shkëmbi.

I rradhës ishte i pritshëm. Kukësi njoftoi ditën e djeshme largimin e trajnerit Skënder Gega nga verilindorët pasi Kukësi i tij ndodhej në vendin e fundit me vetëm 2 pikë në 4 ndeshje.

Presidenti i nderit, Safet Gjici rikthehet të ruajë traditën e largimeve të trajnerëve parakohe te Kukësi pas tentativës për t’i besuar deri në fund trajnerit Longo vitin e kaluar.