Gjatë emisionit të mbrëmshëm “Rubrika Sportive” në RTSH, ka qenë i ftuar në studio edhe ish-futbollisti i Vllaznisë, Saimir Patushi. Gjatë bisedës së tij, Patushi tha se Brdariç duhej të ishte larguar më parë pas ofendimeve që bëri në mediat gjermane për klubin shkodran.

“Unë mendoj se në qoftë se, Brdariç, do të ishte larguar pak më parë, do të bënte mirë. Pas deklaratës që ai dha në mediat gjermane për një ofendim të klubit Vllaznia, për atë fanellë që jo çdokush mund ta drejtojë. Brdariç mund të dilte dhe t’i përgënjeshtronte.

Madje në fillim, kur Brdariç, ka ardhur kam qenë nga ata që e kam përkrahur. Kam qenë nga ata ish-sportistë që e kam pritur me krahëhapur, por të ofendosh një klub, të ofendosh një qytet, të ofendosh një fanellë pas një viti e gjysmë, unë besoj se ishte një taktikë e gabuar e atij trajneri.

Dhe besoj që ajo klimë, që ai ushqeu, me ata lojtarë me bujë të madhe, që ishin për titull kampion dhe përfundon e treta, e katërta apo e pesta, Vllaznia nuk ka nevojë për trajnerë të huaj.

Unë besoj se ka djem sa të duash Shqipëria, ka shkodranë sa të duash Shqipëria. Mund të trajnojnë shumë mirë.

Nuk ka nevojë ai klub ose ajo akademi për vend të katërt dhe vend të pestë, një investim i jashtëzakonshëm, sidomos këtë vit”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-futbollisti i Vllaznisë, 20 vite më parë, kur kjo skuadër do të shpallej kampione, Saimir Patushi.
Maringlen ZHIVANI