Pogradeci nuk arriti dot të triumfojë ndaj Burrelit ditën e djeshme, teksa u mposht me rezultatin 2-1 në finalen e zhvilluar në Rrogozhinë. Në këtë mënyrë, liqenorët do të vijojnë të qëndrojnë edhe për edicionin e ardhshëm në Kategorinë e Dytë.

Ndërkohë, mbrëmjen e sotme ka reaguar edhe trajneri shkodran i Pogradecit, Samuel Nikaj. Ky i fundit, me anë të një statusi të publikuar në Facebook, ka marrë përsipër përgjegjësitë e këtij sezoni, teksa nuk dihet ende nëse do të vazhdojë të jetë apo jo trajner i Pogradecit.

“E pranova me kënaqësi ofertën e ekipit të Pogradecit, edhe pse i kam ditur vështirësitë që do të has. Gjithsesi, ndërtuam një ekip solid, pavarësisht Kategorisë ku luajtëm. Arritëm të prodhojmë një futboll shumë të pëlqyeshëm. Arritëm 16-fitore, pesë barazime dhe vetëm një humbje. Edhe këtë pasi humbëm vendin e parë matematikisht.

Në play-off fituam dy ndeshjet e para dhe u mundëm në finale nga një ekip që luante një Kategori më lart, duke na ndërprerë ëndrrën që kishim një qytet i tërë. Personalisht unë, pavarësisht se nuk e arrita objektivin, jam krenar për djemtë e ekipit që dhanë gjithçka.

Jam krenar që punova në një qytet aq mikëpritës dhe që njoha njerëz të mrekullueshëm që nga Kryetari i Bashkisë e deri tek punëtori i fushës. Jam krenar që tifozët më kanë përkrahur dhe vlerësuar që nga dita e parë dhe deri tek e fundit dje. I kërkoj falje që nuk jua bëra ëndrrën realitet, por futbolli kështu e ka”,-mbylli statusin e tij, trajneri shkodran i Pogradecit, Samuel Nikaj.
Maringlen ZHIVANI