Skënderbeu i Korçës është shpallur kampion i Kategorisë së Parë për këtë sezon pak ditë më parë. Kështu, e veçanta e këtij suksesi është fakti që pjesë kryesore e ekipit kampion të Kategorisë së Parë ka qenë edhe tre shkodranë.

Fjala është për mbrojtësin Dritmir Beci dhe dy sulmuesit Ardit Nikaj e Uendi Vecaj. Kështu, gazeta “Shkodra Sport” ka intervistuar një nga futbollistët shkodranë të skuadrës korçare dhe bëhet fjalë pikërisht për qendërmbrojtësin Ditmir Beci.

Ai foli për këtë sukses të skuadrës korçare, por edhe për të ardhmen e tij. Beci u shpreh se ishte një sezon i gjatë dhe i mundimshëm, pasi atë e kanë penalizuar së tepërmi edhe dëmtimet, ndërsa theksoi faktin se për të personalisht është viti i dytë që kontribuon në ngjitjen në elitë të një ekipi, kur edhe vjet ndihmoi Erzenin për të kapur Superioren. Më poshtë, mund të lexoni intervistën e tij dhënë gazetarit të “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani.

– Dritmir, kurorëzuat një sezon fantastik me Skënderbeun ku morët edhe titullin kampion të Kategorisë së Parë, çfarë ndjesie përjetuat pas kësaj arritjeje?

Ishte një sezon i gjatë dhe i vështirë, por në fund u shpallëm kampion me meritë të plotë. Ishte një kënaqësi e veçantë, pasi është i dyti vit rresht për mua që siguroj ngjitjen në Superiore, por këtë vit në vendin e parë. Jam i lumtur që dhashë kontributin tim në këtë arritje.

-Dritmir, duke qenë se keni luajtur pak si pasojë e një dëmtimi, sa ju ka penalizuar një gjë e tillë me aktivizimin këtë sezon tek Skënderbeu?

Në fakt, është e vërtetë që kisha një dëmtim që më la disa javë larg fushave dhe më ka penalizuar me minutazhin. Sigurisht që, çdo dëmtim nuk është pozitiv, por e rëndësishme është që ka kaluar tashmë.

-Eshtë gati Dritmir Beci për të luajtur në Superiore pas eksperiencës së këtij sezoni në Kategorinë e Parë?

Sigurisht që po. Pas shumë eksperiencave që kam marrë këto vite, jam gati padyshim.

– Cilat janë objektivat dhe synimet tuaja për të ardhmen Dritmir, do vijoni sërish tek Skënderbeu apo jo?

Për të ardhmen është akoma herët për të dhënë një përgjigje. Do ulemi të flasim me drejtuesit e Skënderbeut dhe pastaj do vendosim.

-Në një të ardhme të afërt mund të riktheheni në Shkodër për të luajtur tek Vllaznia?

Këtë nuk di ta them tani. Megjithatë, t’ia lëmë kohës një gjë të tillë.
Maringlen ZHIVANI