Saturday, July 18, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PARESamuel Nikaj nis misionin te Burreli: Ruajmë boshtin e skuadrës, merkatoja do...

Samuel Nikaj nis misionin te Burreli: Ruajmë boshtin e skuadrës, merkatoja do të sjellë përforcime

Nga Maringlen ZHIVANI

Burreli ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2026-2027, me skuadrën matjane që po zhvillon seancat e para stërvitore nën drejtimin e trajnerit shkodran Samuel Nikaj. Tekniku, i cili do të jetë në krye të ekipit të Burrelit, për të dytin vit me rradhë, bëri të qartë se objektivi i parë është ruajtja e vazhdimësisë së ekipit dhe ndërtimi i një grupi konkurrues për sezonin e ri.

Faza përgatitore do të zhvillohet në qytetin e Burrelit, mes aneksit stërvitor dhe stadiumit “Liri Ballabani”, aty ku skuadra do të punojë për të arritur formën optimale përpara nisjes së kampionatit. Ndryshe nga sezoni i kaluar, pritshmëritë në kampin matjan janë më të mëdha, teksa drejtuesit dhe tifozët kërkojnë një paraqitje më të mirë dhe një ekip më ambicioz. Trajneri Samuel Nikaj ka konfirmuar se pjesa më e madhe e organikës së sezonit të kaluar do të vazhdojë të jetë pjesë e Burrelit edhe në edicionin e ri.

“Ka dy ditë që kemi filluar përgatitjet për sezonin e ri. Faza përgatitore do të zhvillohet në qytetin e Burrelit. Skuadra do të ruajë boshtin e sezonit të kaluar”, është shprehur tekniku shkodran.

Sipas Nikajt, rreth 70 për qind e grupit aktual do të mbetet i pandryshuar, ndërsa paralelisht klubi po punon për afrime që do të rrisin nivelin e skuadrës.

“Normalisht, në këtë periudhë priten edhe afrime të reja. Gradualisht do të ndërhyjmë me disa lojtarë cilësorë”, ka deklaruar trajneri i Burrelit.

Gjatë javëve të ardhshme, skuadra matjane do të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore, të cilat do t’i shërbejnë stafit teknik për të parë gjendjen fizike të futbollistëve dhe për të integruar elementët e rinj që mund t’i bashkohen ekipit. Burreli synon që këtë sezon të jetë një nga skuadrat më konkurruese në Kategorinë e Parë.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments