Samuel Nikaj, trajneri aktual i Pogradecit, si dhe një ish-pjesëtar i stafit teknik të Vllaznisë disa vite më parë, i ka bërë një analizë situatës aktuale të kuqebluve në rolin e një specialisti futbolli.

Në një intervistë për “Panorama Sport” ai ka vënë në dukje ndryshimin që pësoi skuadra pas ardhjes së maqedonasit Goce Sedloski, ndërsa ka folur edhe për tema të tjera rreth kuqebluve, por edhe Pogradecit.


Samuel, si ju duk Vllaznia në takimin e parë nën drejtimin e trajnerit maqedonas, Sedloski?

Kam parë një skuadër me dëshirë, rritëm dhe që shfaqi në këmbët e saj futboll. Duket se trajneri Sedloski e ka analizuar shumë mirë ekipin në vetëm pak ditë në krye të pankinës. Mentaliteti i tij duket qartë që i shkon stilit dhe traditës shkodrane të futbollit. Pra, një futboll sulmues që kënaq dhe tifozët.


U shënuan tre gola, ndërsa Balaj mori rolin e asistuesit…?

Në filozofinë time të lojës që kam si trajner, nuk e shikoj punën që një sulmues matet vetëm me golat që shënon. Patjetër golat janë të rëndësishëm, por po aq e rëndësishme është edhe loja që bën sulmuesi. Për mua Balaj ka zhvilluar lojëra shumë të mira dhe në këtë takim ndaj Erzenit ishte shumë përcaktues. Normalisht që të vjen keq që nuk shënoi, pasi do të ishte diçka edhe më e bukur për të. Atë e pamë vetëm në këtë ndeshje të humbiste raste, pasi vetëm në këtë takim është punuar për të. Por, kjo është pozitive, sepse tregon se skuadra po krijon dhe unë besoj se Balaj do të gjejë golat shpejt. Më duket më shumë një ngërç psikologjik se sa sportiv.


Mendoni se do ta ruajë Vllaznia këtë lojë të zhvilluar ndaj Erzenit edhe ndaj Kukësit?

Kam besim se po. E ka stofin e lojtarëve, motivimin dhe ajo që kërkon trajneri, pasi i shkon kësaj skuadre. Unë e shikoj si të mundur një gjë të tillë.


Çfarë prisni në Kukës?

Një përballje si përherë, mjaft të fortë. Vllaznia ka bërë mirë tri ndeshjet e para ndaj Kukësit dhe besoj se mund ta bëjë mirë edhe në këtë ndeshje të katërt. Jam optimist se Vllaznia do të arrijë një tjetër fitore në këtë kampionat ndaj Kukësit, pavarësisht siç e theksova, nuk do ta ketë aspak të lehtë.

E shikoni Vllazninë brenda objektivave?

Besoj se skuadra është ende në garë për të fituar një trofe këtë sezon. Kampionati ndoshta duket disi i pamundur për t’u fituar, por është Kupa në lojë. Egnatia është kundërshtari direkt i Vllaznisë, si në Kupë ashtu edhe në Superiore, por në fund kur gjërat bëhen shumë serioze, janë ekipet e traditës ato që zakonisht dalin triumfatore. Vllaznia ka stof tjetër krahasuar me Egnatian apo kushdo qoftë kundërshtari. Besoj se do të arrijnë ta mbyllin sezonin suksesshëm dhe do të jetë në Europë. Fitimin e Kupës e shikoj si të mundur.


Në fund, diçka për aventurën tuaj me Pogradecin?

Jemi në vendin e dytë dhe po shohim qartë që vendi i parë i është rezervuar Elbasanit. Ne do luftojmë deri në fund për “play off” dhe ngjitjen në Kategorinë e Parë. Kam një ekip me cilësi, që do të sakrifikojmë deri në takimin e fundit.