Tre muaj më parë shpallej si “bllokuesja e dytë më e mirë” e kampionatit teksa në 32 raste kishte dalë triumfuese në bllok ndaj kundërshtareve, ndërkohë që në vend të parë ishte një ruse që luante me Tiranën. Një rezultat ky i shkëlqyer i 17 vjeçares shkodrane Sara Malaj.
Ka mjaftuar kjo paraqitje dhe këto të dhëna që ekipi i Skënderbeut t’i hedhë sytë drejt volejbollistes së Vllaznisë duke e cilësuar atë me shumë të ardhme dhe si rrjedhojë i ka bërë një ofertë shumë të mirë. Si rrjedhojë Malaj prej disa kohësh është bashkuar në stërvitje me ekipin korçar.
Në Shkodër në fakt e presin që t’i bashkohet Vllaznisë në stërvitje. Kjo sepse lojtarja qendër sipas drejtuesve kuqeblu, ka firmosur sezonin e kaluar një kontratë dyvjeçare me ta dhe si rrjedhojë edhe në sezonin e ri duhet të luajë në “Qazim Dervishi”.
Një gjë e tillë kundërshtohet nga vetë sportistja por edhe drejtuesit e Skënderbeut, sipas të cilëve, kontrata e firmosur me Vllazninë është joligjore sepse është firmosur nga vetë sportistja por në momentin e hedhjes së firmës ka qenë ende pa i mbushur 18 vjeç.
Si rrjedhojë, duke qenë se në kontratë duhej të ishte edhe firma e prindit, ajo çfarë vetë Sara ka firmosur konsiderohet joligjore. Megjithatë te Vllaznia i mëshojnë faktit se nëse nuk do të kishte qenë ligjore, Federata nuk do ta kishte lejuar të luante as sezonin e kaluar me ta.
Duket se çështja do të zgjasë edhe pak dhe në fund duhet të jetë vetë Federata që ka për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. E rëndësishme është që Sara Malajn, për vetë vlerat që ka si sportiste, e duan si Vllaznia ashtu edhe Skënderbeu./SHKODRA-SPORT.COM/