Juventusi nesër luan në transfertën e Udines teksa përballet me vendasit e Udinezes. Një trepikësh tjetër do t’i afronte bardhezinjtë me titullin numër nëntë radhazi. Para sfidës së nesërme, trajneri Mauricio Sarri ka folur në konferencë për shtyp, ndërsa i është gëzuar dyshes së tij të sulmit Ronaldo-Dibala.

Tekniku shprehet se ndonjëherë ata nuk e mbulojnë mirë zonën kundërshtare, por më pas këtë e rikuperojnë me cilësitë individuale, ndërsa thekson se ata së bashku kanë shënuar 51 gola.

“Ne jemi një skuadër e fortë me shumë mundësi përmirësimi, kjo më duket shumë evidente. Mua më duket e vështirë të shoh vështirësi në bashkëjetesën dy lojtarëve të jashtëzakonshëm si Ronaldo dhe Dibala. Ndonjëherë nuk mbulojnë mirë zonën kundërshtare, por e kompesojnë me cilësitë individuale. Së bashku kanë shënuar 51 gola, flasim për një nivel të lartë, botëror. Ronaldo është një kampion në mentalitet më shumë se në këmbë.

Kam folur me të për 10 minuta dhe më tha se ndjehet shumë mirë. Ka një kapacitet rikuperimi shumë të lartë, ai mendon menjëherë për objektivin e radhës dhe kapacitetet e tij nuk janë të zakonshme. Jeton me emocione të forta dhe kalon lodhjen në mënyrë të pabesueshme”, u shpreh Sarri. /VipSport/