Ndeshja e parë e vitit pa gol nuk është diçka e rrallë. Kristiano Ronaldos i ka ndodhur shpeshherë, saktësisht 13 nga 18 kampionate mes Sportingut, Mançester Junajtidit, Realit të Madridit dhe tashmë me Juventusin. Për këtë arsye, debutimi “shterpë” në Parma nuk e shqetëson.
CR7 është i mësuar me këto nisje të buta, sepse muajin gusht portugezi e ka përdorur shpesh për të nxehur motorët, ndërsa shpërthimi i tij nis në shtator, ndonëse sivjet duhet të ndryshojë diçka në përllogaritjet e tij. Arsyeja lidhet me kalendarin, i cili ofron që në javën e dytë, më konkretisht të shtunën në mbrëmje, duelin direkt për titullin kampion, kundër Napolit.
Në “Allianz Stadium” pritet një mbrëmje gala, net “ceremoniale”, me të cilat Kristiano Ronaldo është ambientuar keq në karrierën e tij, qoftë kur bëhet fjalë për të parakaluar me skuadrën e tij, qoftë kur i duhet ta bëjë vetëm këtë, si rrjedhojë e çmimeve të pafundme individuale, që ka fituar në sport.
Prandaj, këtë javë, CR7 kërkon ta shijojë në maksimum, kërkon që të jetë ai “mbreti” i mbrëmjes, pse jo, në dy vitrina të ndryshme. Skenari më i bukur do të ishte mbërritja në natën kundër Napolit, pasi të ketë shtuar në palmaresin e tij në Funçal një tjetër trofe prestigjioz, atë të “Futbollistit të Vitit”, që do të jepet nga UEFA, ceremoni e cila do të përkojë edhe me hedhjen e shortit të Ligës së Kampioneve, të enjten pasdite (nesër), në Montekarlo.
MESI, DUELI I PËRJETSHËM
Ronaldo do të duelojë për çmimin e “Futbollistit të Vitit” me të përhershmin Lionel Mesi (golashënuesi më i mirë i Champions-it dhe “Këpuca e Artë” e La Ligës) si dhe me surprizën Virxhil Van Dajk, njeriun e finales së Ligës së Kampioneve, e cila pa Liverpulin kampion, përballë Totenhemit, por edhe finalistin e Ligës së Kombeve, në këtë rast humbës, pikërisht përballë Portugalisë së Ronaldos.
Në mbrëmjen gala të natës së nesërme, 34-vjeçari do të paraqitet me titullin e tetë radhazi dhe Superkupën me Juventusin, të qepura në xhaketë, por edhe me fitoren e Ligës së Kombeve me Portugalinë. “Ishte sezoni më i mirë i karrierës sime, – i përkufizonte Ronaldo këto tri suksese, pasi tërhiqte edhe çmimin “Legjenda”, e dhuruar nga “Marca”, në Madrid. – Asnjë si unë nuk ka triumfuar si me klubin, ashtu sikurse me kombëtaren, brenda këtij sezoni”. Dy fjali të cilët mund të përmblidhen në një të vetme: “Këtë sezon, e meritoj unë titullin e ‘Futbollistit të Vitit’”.
Madje, Ronaldo është optimist se kështu do të shkojë të enjten në mbrëmje, pasi këta zëra qarkullojnë edhe nga burime pranë familjes së tij. Prandaj, këtë sezon, lideri i Juventusit me shumë mundësi do të paraqitet në Montekarlo, pasi vjet e bojkotoi këtë ceremoni, teksa kishte mësuar se fituesi do të ishte Luka Modriç. Kristiano kërkon ta thellojë edhe më tepër rekordin e tij për sa i përket këtij çmimi, duke qenë se me tre trofe të tillë, në vitet 2014, 2015 dhe 2016, paraprin këdo, edhe Lionel Mesin, që e ndjek me dy të tillë.
JAVË “E NXEHTË”
Objektivi i Ronaldos është i qartë: ai kërkon të mbërrijë në ndeshjen direkte për titull kundër Napolit me një trofe prestigjioz të merituar, pse jo, të parakalojë me trofeun dhe një tjetër “medalje” të artë në qafë, përpara vërshëllimës që do t’i japë start duelit me skuadrën e Karlo Ançelotit.
Diçka e tillë do ta karikonte edhe më shumë CR7-ën, sepse ndeshje si këto e ekzaltojnë, 90- minutëshat të cilët vlejnë më shumë sesa tri pikë, janë ata me të cilët ai është ushqyer gjatë gjithë karrierës së tij dhe shpesh duke lënë edhe një gjurmë shumë të fortë. Sepse, siç e nënvizon gjithmonë Kristiano, ai nuk lodhet kurrë së treguari se cili është më i forti në botë.
NAPOLI NË SHËNJESTËR
Ronaldo e nisi në Parma pa shënuar, ashtu si një vit më parë, por kundrejt debutimit me Kievon, në gushtin e vitit 2018, sivjet u pa që në fillim shumë i uritur, duke qenë se gjysma e tentativave në kuadrat nga ana e Juventusit ishin të tijat (7 nga 14). Objektivi i Mauricio Sarrit fundja ishte pikërisht ky: të furnizohet sa më shumë që të jetë e mundur Ronaldo, në mënyrë që portugezi të provojë të përmirësojë, pse jo, t’i dyfishojë 28 golat e sezonit të kaluar.
Nëse i rikthehemi duelit me Napolit, një sezon më parë në “Allianz Stadium”, të fituar 3-1 nga bardhezinjtë, Ronaldo diti që ta linte vulën e tij, ndonëse pa shënuar, duke qenë se falë iberikasit lindi dopieta e Manxukiçit (një asist dhe një goditje e grushtuar).
Pastaj, kjo sfidë mbart në vetvete një objektiv që Ronaldo kërkon ta arrijë: t’i shënojë golin e parë Napolit, ndaj të cilit nuk ka festuar asnjëherë, pas dy ndeshjeve në Serinë A me Juven, në sezonin e kaluar dhe një dopio-përpalljeje me Realin e Madridit, në Champions. Prandaj, duke njohur faktet që paraprijnë duelin për titull, Napoli bën mirë të marrë masat, për të provuar që ta ndalë “alienin” bardhezi.