Fitorja 2-0 ndaj Fulham ishte e rëndësishme për Chelsea, për t’u rikthyer te fitorja në Premier League, pas humbjes ndaj Tottenham një javë më parë. Trajneri Maurizio Sarri është i kënaqur vetëm me dy gjëra: 3 pikët e marra dhe faktin që skuadra e tij nuk pësoi gol.

Për sa i përket pjesës tjetër të lojës, trajneri kërkon më shumë nga skuadra e tij, sidomos në këtë muaj të vështirë, ku do të luhet thuajse çdo tre ditë deri në janar.

“Për ne ka nisur një muaj ferri, me ndeshje çdo 3 ditë dhe çdo gabim ndëshkohet rëndë. Kam nevojë për të gjithë lojtarët, që të luajnë sa herë që do të jetë e mundur. Nuk dua lojtarë që flenë, të gjithë duhet të jeni gati kur të hidhen në fushë. 3 pikët janë të rëndësishme, por duhet të luajmë pa rrezikuar, jo si ndaj Fulham, ku shënuam shumë vonë golin e dytë dhe mund të ndëshkoheshim në çdo moment”, tha Maurizio Sarri.