Tek Vllaznia janë disa futbollistë të cilëve u ka përfunduar kontrata me mbarimin e sezonit dhe si rrjedhojë nuk kanë dashur të qëndrojnë më në Shkodër. Dhe pas Andrey Yagos dhe Esat Malës, i rradhës që largohet është mbrojtësi nga Prishtina Melos Bajrami.
Kontrata e tij dyvjeçare me kuqeblutë tashmë ka përfunduar dhe në fakt drejtuesit e klubit Vllaznia prej disa kohësh kanë negociuar me të për rinovimin e saj, por mbrojtësi shtatëlartë nuk ka pranuar sepse sipas tij dëshiron të nisë një eksperiencë të re.
Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se ai është shprehur se dëshiron të luajë në një kampionat tjetër dhe nëse mbetet në Shqipëri sigurisht që Vllazninë nuk do ta ndërrojë me asnjë ekip tjetër. Megjithatë drejtuesit kuqeblu nuk mund ta presin gjatë dhe si rrjedhojë janë vënë në kërkim të një mbrojtësi tjetër të qendrës.
Melos Bajrami erdhi në Shkodër të vitit 2024 dhe në dy vite me fanellën kuqeblu ka luajtur në total 60 ndeshje në kampionat dhe ka arritur të shënojë 3 gola ndërkohë që është ndëshkuar edhe 4 herë me karton të kuq. Pas eksperiencës te Vllaznia por edhe tek Ballkani, Skënderbeu, Shkupi, Makedonija e Gjilani, tashmë dëshiron të provojë të luajë me një skuadër tjetër.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


