Aventura e Hames Rodrigezit në Madrid është drejt fundit dhe mesfushori kolumbian duket se do të largohet pas këtij sezoni. Deklarata e fundit dëshmon qartë se mes tij dhe klubit madrilen nuk ka më asnjë “ndjenjë” dhe për këtë arsye palët do të përshëndeten me njëratjetrën.

Ai rrëfehet për Rio Ferdinandin dhe thotë se kishte oferta nga një tjetër skuadër e madhe, por rrethanat nuk e lejuan që të largohej. “Nuk do të them emra, por kisha një mundësi të artë për të shkuar në një tjetër ekip të madh. E dija që te Reali nuk do të luaja shumë, por nuk më lanë që të shkoja për arsye të ndryshme.

Unë jam te Reali sepse kështu deshën rrethanat, jo sepse doja vetë. Madje, unë kërkoja që të largohesha sepse nuk do të luaja shumë. Por, tani jam këtu dhe shpresoj që të luaj më shumë në të ardhmen. Unë e di që kam kualitet e talent dhe me punë mund t’ia dal të bëhem i rëndësishëm për skuadrën”, tha Hames.

Ai nuk donte ta tregonte ekipin, por mediat janë të sigurta që bëhet fjalë për Atletikon. Sigurisht që kolumbiani është një lojtar i mirë, por pas kësaj deklarate vështirë se do ta shikojë formacionin titullar. Në fakt, Zidan e riktheu në fushë, por ai nuk shkëlqeu dhe nuk bindi aspak duke bërë një tjetër ndeshje për t’u harruar.

Me shumë mundësi ai do të largohet dhe bashkë me të edhe Bejli do të ikë nga Reali i Madridit. I kanë shpenzuar të gjitha mundësitë për të qëndruar në kryeqytetin spanjoll dhe konkurrenca është rritur ndjeshëm në formacionin “galaktik”.