Mbrojtësi shqiptaro- maqedonas Sedat Berisha erdhi tek Vllaznia gjatë merkatos së janarit dhe ndonëse ka kontratë me kuqeblutë deri në fund të dhjetorit, me shumë të ngjarë nuk do të luajë më me ta pas rënies nga Superliga.

Gjithsesi, 28 vjeçari pritet të luajë sërish në Superligën shqiptare.

Bëhet e ditur se për të ka shfaqur interes ekipi i Tiranës.

Drejtuesit e tij duan një përforcim në mbrojtje dhe emri i parë që kanë çuar ndër mend ka qenë ai i Berishës.

Lojtari shtatëlartë luajti rregullisht me shkodranët në pjesën e dytë të sezonit të shkuar, teksa zbriti në fushë në 18 ndeshje si titullar.

Ai arriti të shënonte edhe një gol në humbjen 1-4 që shkodranët pësuan në shtëpi me Skënderbeun.

Paraqitjet e tij ishin relativisht të mira dhe në të shkuarën ka luajtur me Shkupin, Shkëndijën e Tetovës, Metalurg dhe Milanon e Kumanovës.

Por, Berisha, i cili sipas “Panorama Sport” është objektiv i Tiranës, pat nënshkruar për nje vit me Vllazninë dhe duhet të ndërpresë fillimisht kontratën me shkodranët për të luajtur në ekip tjetër.
© shkodrasport.com