Fitorja në Vlorë i ka dhënë “oksigjen” Dinamos. Janë shumë herë më të qetë pasi e parakaluan në renditje një rival direkt, duke i marrë vendin e dytë. Ngjitja tashmë varet vetëm prej tyre dhe kjo është ajo që shton shpresat për misionin madhor.

I këtij mendimi është edhe Faruk Sejdini, ish-trajner i bluve dhe tani konsulent i trajnerit Dritan Mehmeti. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai flet për ndeshjen me Flamurtarin dhe atë që pret në gjashtë javët e fundit të kampionatit. “Xhaxhi” e kupton edhe revoltën e kuqezinjve.


Dinamo fitoi dhe parakaloi Flamurtarin. Cili është gjykimi juaj për ndeshjen në Vlorë?

Ajo ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, një finale e vërtetë për Dinamon, duke pasur parasysh si kishte ardhur situata. Në total ekipi bëri një lojë të mirë dhe të kujdesshme ndaj një rivali. Lojtarët treguan karakter në atë 90-minutësh, duke përballuar presionin në fushë dhe presionin që vinte nga jashtë fushës. Në fund arritën të marrin tri pikët, që janë shumë të çmuara në këtë pikë të sezonit. Ishte një fitore oksigjen për Dinamon. Djemtë po ashtu i bënë detyrat mirë dhe u shpërblyen për atë që dhanë në fushë.


Pati shumë kontestime nga klubi vlonjat dhe tifozët për arbitrimin. Ju si e parë penalltinë?

Arbitrimi ishte korrekt në atë ndeshje. Nuk jam specialist, por gjërat janë të qarta. Penalltia ishte, lojtari ynë ishte një kohë përpara lojtarit të Flamurtarit. Ai lojtar edhe sot vazhdon të bëjë stërvitje të diferencuar, për shkak të goditjes që ka marrë në atë rast. Mendoj se arbitrimi ia dha edhe atë 5%-shin e ekipit vendës Flamurtarit, duke i toleruar një karton të kuq që në minutën e 50-të. Unë e kuptoj reagimin e vlonjatëve, revoltën e tyre. Kur e humb një ndeshje në minutat e fundit, dhemb gjithmonë më shumë, ndaj dhe ndodhi ajo që ndodhi. E përsëris, në gjykimin tim, arbitrimi ishte profesional.