Incidentet që kanë patur vitet e fundit në mes tifozëve të basketbollit të Vllaznisë dhe Tiranës, kanë detyruar drejtuesit shkodranë që të marrin masat e duhura për të shmangur ndonjë incident tjetër të mundshëm që mund të ndodhë në takimin që do të luhet nesër në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Për këtë arsye, sot ka dalë para mediave në një konferencë për shtyp sekretari i shoqatës së basketbollit Vllaznia që ka bërë thirrje për shmangien e çdo incidenti të mundshëm dhe mbështetje të fortë të ekipit brenda rregullave të duhura.

“Jemi në prag të ndeshjes me Tiranën dhe deshëm t’u komunikonim se klubi i ka marrë të gjitha masat organizative për të patur një ndeshje të suksesshme. Në mënyrë të veçantë i kemi kushtuar shumë kujdes aspektit të organizimit të ndeshjes duke qenë se gjithmonë ndeshjet me Tiranën janë shoqëruar me tensione.

Për këtë arsye, klubi është munduar të fusë një klimë ndryshe, më pozitive në mënyrë që edhe tifozët ta kuptojnë se duhet ta mbështesin fort skuadrën por brenda rregullave dhe misionit që përçon sporti duke promovuar respekt dhe për të evituar çdo incident të mundshëm.

Unë besoj se në ndeshjen e ditës së premte do të kemi mbështetjen e tifozëve sepse bashkë me ta mund t’ia dalim në këtë sukses”-ka thënë ai.
© shkodrasport.com