Sekretari i përgjithshëm i Vllaznisë, Blendi Dibra, i cili siç njihet ndryshe edhe si krahu i djathtë i presidentit Alban Xhaferi, ndodhet në Gjenevë, aty ku si përfaqësues i klubit kuqeblu ka marrë pjesë në një seminar të rëndësishëm që ka të bëjë me çështjet ligjore të klubeve europiane të futbollit. Ky takim ka qenë i një rëndësie të veçantë dhe që pritet t’i shërbejë klubit Vllaznia për aktivitetin financiar në të ardhmen.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Dibra përmes një statusi të publikuar në rrjetin social “Facebook”. “Punojmë pa pushim për të ngritur Vllazninë në vendin që i takon në familjen e futbollit europian”,-shkruan në postimin e tij në “Facebook” sekretari i Vllaznisë, Blendi Dibra.

Ndërkohë, në një foto tjetër të postuar po gjatë takimit në Gjenevë, Dibra është shfaqur edhe me drejtorin financiar të Celtic Glasgow. “Kryefjala e bisedës me drejtorin financiar të Celtic Glasgow, e shkuara e lavdishme e Rudi Vatës dhe e ardhmja e shkëlqyer e Rocco Vatës, dy modele që mundësojnë bashkëpunimin”,-shkruan Dibra në postimin tjetër të tij në “Facebook”.

Në fakt, nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë një bashkëpunim mes dy klubeve të Vllaznisë dhe Celtic Glasgow. Një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe vetë sekretari i përgjithshëm i Vllaznisë, Blendi Dibra, përmes këtij statusi të publikuar në rrjetin social “Facebook”, teksa në të ardhmen mund të ketë një vizitë në Shkodër të përfaqësuesëve më të lartë të klubit skocez, gjatë së cilës do të diskutohet edhe rreth marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy klubeve të Vllaznisë dhe Celtic Glasgow.
Maringlen ZHIVANI