Arturo Vidal duket se do të mbetet thjesht një ëndërr për Antonio Konte. Tekniku i Interit ia ka bërë të qartë drejtuesve zikaltër se kërkon me patjetër mesfushorin në mënyrë që skuadra të fitojë eksperiencë në mesfushë, por edhe cilësi.

Megjithatë, duket se nuk do të jetë aspak e lehtë për ta shkëputur nga Barcelona. Tekniku blaugranasve Setien ka pasur vetëm komplimente për Vidal pas ndeshjes me Majorkën, ndërsa thekson se ai i ofron shumë Barcelonës dhe se është i lumtur që e ka në skuadër.

“Është një futbollist që transmeton energji në të gjithë skuadrën, na ndihmon shumë në fushë. Në ndeshjen ndaj Majorkës, falë golit që shënoi na i vendosi ndeshjen në shinat e duhura. Vidal ka një profil që është i nevojshëm për çdo klub. Jam shumë i kënaqur me rendimentin e tij”, u shpreh Setien. /VipSport/