Fitorja e Elbasanit në duelin ndaj Vllaznisë, ka ndezur entuziazmin te tifozeria verdheblu që shpreson të shohë përsëri një titull kampion në qytet pas dy dekadash. Por njëkohësisht, ka rindezur edhe një rivalitet për momentin në distancë me shkodranët të cilët kanë thumbuar me postime e deklarata, duke filluar nga zëvendëstrajneri Ergi Borshi, për të vazhduar me presidentin e kuqebluve, Alban Xhaferi.
Në kampin verdheblu ndërkohë, euforisë së tifozëve u është përgjigjur me qetësi fillimisht trajneri Gvozdenoviç, e së fundmi edhe presidenti i Elbasanit, Kujtim Llupa. Ky i fundit, në një reagim ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ka dhënë një mesazh të qartë se vendi i parë i jepte të drejtën legjitime çdo tifozi të Elbasanit të festonte. E njëkohësisht, ai theksoi se skuadra e tij e kishte fituar një titull, atë të mbështetjes së tifozerisë, pasi kishte qartësisht ndjekjen më të madhe të këtij sezoni.
“Futbolli është i bukur.
Me adrenalinë dhe emocion. Me garë dhe tifozeri.
E rëndësishme është të flasim në fushë, se jashtë saj të gjithë dalim kampion që në shtator.
Dhe fusha i jep të drejtën legjitime çdo tifozi e tifozeje të gëzojë për qytetin e tij, por ne mbi të gjitha gëzojmë edhe për prezencën e tyre afër ekipit. Dhe ky është një titull më vete i dëshmuar në çdo sfidë të fituar që diku djeg.
Kryesojmë me meritë, por jemi me këmbë në tokë, që nga dita 1, deri në aktin e fundit.
Nuk kemi arritur asgjë, thjesht kemi rritur vetëbesimin dhe frymën te njerëzit tanë, tek ekipi ynë, te forca jonë!”, ishte mesazhi i presidentit të Elbasanit për vendin e parë të verdhebluve në renditjen e Superiores.


