Dritan Shakohoxha, kandidati për president i FSHF-së që refuzoi të merrte pjesë në asamblenë e 15 marsit, duke e cilësuar atë të paligjshme, ka reaguar sot duke thënë se lajmet që qarkullojnë për dënim 10-vjeçar të Shqipërisë nga UEFA është një gënjeshtër e madhe.

“Jam i zhgënjyer nga ajo që kam dëgjuar nga RTSH Sport së fundmi – deklaroi Shakohoxha për gazetën – Të thuash që do të dënohen klubet shqiptare nga UEFA për 10 vite është më shumë se sa një spekulim, është thjesht gënjeshtër. Dikur ishin portale të dorës së dytë që hidhnin shashka të tilla, ndërsa tani i bën lajme të tilla Televizioni Publik Shqiptar, që në mënyrë vullnetare është përfshirë për t’i shërbyer FSHF-së.

Më vjen keq që duan ta bëjnë UEFA-n gogol, sepse nuk është kështu. UEFA nuk përzihet në punët e gjykatave shqiptare dhe kushdo që do ta keqpërdorë UEFA-n, është thjesht në rrugën e gabuar. Më duhet t’ju kujtoj të gjithëve se dënimi 10 vite është përdorur vetëm një herë në histori dhe për fat të keq ka qenë një skuadër shqiptare: Skënderbeu.

Dënimin e ka marrë për trukime të rezultateve në ndeshjet e UEFA-s. Në rastin më të keq nuk ka përjashtim, por pezullim dhe pas 3 muajsh reflektimi vjen edhe përjashtimi që duhet të miratohet nga Kongresi i UEFA-s dhe i FIFA-s. Shikoni pak Rusinë: është pezulluar dhe nuk ka një afat për sa kohë do përjashtohen”, deklaroi Shakohoxha për gazetën.

Një ditë më parë, RSTH Sport publikoi një kronikë ku njoftoi publikun se UEFA po përgatiste një masë të rëndë ndaj Shqipërisë për ndërhyje politike. “Po përgatitet përjashtimi i kombëtareve dhe klubeve shqiptare nga përfaqësimi ndërkombëtar.

Nuk bëhet fjalë për një dënim të përkohshëm, por një sanksion 10 vjeçar që do të tronditë futbollin nga themelet dhe do të vërë në dyshim ekzistencën e tij”, thuhej në kronikën e RTSH që si burim informacioni të lajmit kishte… FSHF-në.