Vllaznia do udhëtojë sot drejt Elbasanit për tu përballur me Dinamon në javën e 31-të të kampionatit. Një raund që mund të flasë në favor të kuqebluve duke parë që Kukësi pësoi disfatë përballë Partizanit në shifrat 2-1. Nga ana tjetër Dinamo që është thuajse e rënë nga Superliga.

Megjithatë blutë duket se do e provojnë deri në fund shansin e mbijetesës. Kështu sot trajneri Vanoli i cili ende nuk ka marrë një fitore në drejtimin e “nëndetëses” do përpiqet ti bëjë dëm Vllaznisë. Trajneri italian duket se ka projektuar formacionin kundër kuqebluve, ku mes mungesave dhe dënimeve pritet një 11-tshe e arnuar në fushë.

Në portë pritet djaloshi i ri Simoni, i cili mund të jetë ndër notat e vetme pozitive të Dinamos këtë sezon. Mbrojtja pritet me Maliqin, Imamin, Sidibe dhe Samake. Në mesfushë pritet gë gjejë vend një tjetër zbulim si Fejzulla, që do ketë përkrah edhe Demirin e Lilajn. Në sulm Ibraimi është i padiskutueshëm ku do ketë edhe përkrahjen e Haxhiut dhe njërit mes Reginaldos dhe Bardhit.

Ky duket edhe shansi i fundit i Dinamos për të tentuar mbijetesën këtë sezon. Por gjithashtu edhe një mundësi për Vllazninë për tu afruar me vendin e katërt në renditje dhe zonën europiane.
Endri ÇINARI