Silvio Zhunior e ka ndarë mendjen, do të respektojë kontratën me Vllazninë. Edhe pse nuk ka oferta, në Shkodër ka gjetur veten. Shqetësimi i vetëm që po has vjen nga i ftohti dhe ushqimi.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, braziliani thekson se ngjitja nuk do të diskutohet, ndërsa shpall kandidaturën edhe për “Këpucën e Artë” të Kategorisë së Parë.

Si po shkon faza përgatitore në Shkodër, a po ndieni shqetësime prej të ftohtit?
I ftohti është pak shqetësim për mua, por po përgatitemi mirë në këtë periudhë dhe them se gjithçka është në rregull.

Mendon Silvio se me këtë grup lojtarësh, Vllaznia nuk do ta diskutojë ngjitjen?
Rezultatet që kemi pas mbylljes së pjesës së parë të sezonit dëshmojnë se ky grup ka cilësi. Nisur nga kjo, mendoj se nuk do të diskutojmë as ngjitjen në Superiore me këtë kontingjent.

Pra, nuk mendoni se ka vend për afrime?
Nuk jam kundër. Nëse do të forcohemi, do të ishte pozitive. Gjithsesi, drejtuesit e dinë më mirë se ku ka nevojë ekipi.

I keni ndjekur lëvizjet e rivalëve në merkato dhe a ju tremb ndokush?
Nuk i kam ndjekur lëvizjet që kanë bërë kundërshtarët tanë. Unë di të them se nuk kemi frikë të përballemi me ndonjë ekip.

Keni qenë i prerë gjithnjë për të ardhmen tuaj, megjithatë, tashmë që jemi në periudhë merkatoje, a mund të na zbuloni nëse keni pasur oferta?
Kam një kontratë me Vllazninë deri në maj dhe kam ndërmend ta përmbush këtë kontratë. Nuk kam marrë asnjë ofertë në këtë periudhë.

A jeni i kënaqur me aventurën te Vllaznia dhe çfarë ju mungon nga Brazili veç klimës së ngrohtë?
Për mua deri tani gjithçka është e mirë. Ka qenë një aventurë mjaft e kënaqshme, kam mësuar dhe evoluar shumë. Nga Brazili them se më mungojnë vetëm ushqimet.

Cili është kundërshtari që ju ka hapur më shumë punë këtë vit?
Të gjitha ndeshjet kanë qenë të vështira, por ekipi që na ka hapur punë në të dyja fazat e para është Besëlidhja.

Po transferta më e çuditshme?
Ajo që humbën më Ilirinë mund të them se ishte më e vështira.

Keni vetëm 6 gola në 14 javë, a e lakmoni “Këpucën e Artë” të kësaj kategorie?
Në radhë të parë dua që të fitojë ekipi. Puna ime është të shënoj sa më shumë që Vllaznia të arrijë objektivin. Por, edhe një titull personal si shënuesi më i mirë do të ishte diçka e bukur.