Gjetja e alternativës së duhur mbi numrin 9 në Mynih ende mbetet detyrë në kërkim për bordin e kampionëve të Gjermanisë. Largimi i Levandovskit njëherazi dhuroi edhe hendek të madh në fazën ofensive të Bajernit.

Edhe pse Sadio Mane erdhi me pritshmëri të larta në Mynih, aty ku eliminimi i një pjese të mirë të rrjetave prej bomberi polak dhe shpërndarja e rasteve drejt homologëve në sulm ishte “skica” e realizuar prej “arkitektit” të transferimit, Hasan Salihamixhiç, e ku përfundimi rezultoi negativ.

Inekzistent në fushën e blertë, paraqitje nën mesataren dhe problematik në sjellje karshi grupit, rasti i sherrit me Sanenë. Çupo-Moting u aplikua fillimisht prej Nagelsmanit te rekordmenët, por dëmtimet e shpeshta i kthyen në kujtim “të vjetër” finalizimet e kamerunasit.

Pamundësia në sigurimin e yjeve-Sipas analizës nga prestigjiozja gjermane “Sport 1”, kryesuesit e Bundesligës, nën urdhrat e Tuhelit, kanë dy mundësi zgjedhjesh mbi ndërtimin e skemës në kuadrin e sezonit të ri.

Vështirësitë në sigurimin e “pykës” me peshë, marrë në konsideratë binomin e lakuar më shpesh, Kejn-Osimhen, ka bërë që bordi i ekipit nga “Allianz Arena” të vështrojë me kujdes tregun.

Herri Kejn dëshiron të qëndrojë në Angli, shto moshën e konsiderueshme që mban mbi shpinë, e cila nuk jep garancinë e sukseseve afatgjata.

Tjetri vjen nga tempulli i “Diego Armando Maradona”-s, konkretisht kryeshënuesi i Serisë A dhe Napolit, Viktor Osimhen. Edhe nigeriani i plotëson të gjitha kriteret e fizikut, sikurse Leva, megjithatë shuma e kripur prej 150 milionë eurosh i ka “dehur” bavarezët për të marrë guximin në adresimin e ofertave zyrtare.

Në këtë mesele, mediumi në fjalë u jep zë dy skemave klasike, njëra e konsideruar si e tillë prej epokës së Van Galit te Bajerni, tjetra në futbollin botëror.

4-2-3-1- Moduli me bomber klasik në majë të sulmit është skema që Bajerni ka korrur sukses në dekadën e fundit, ndonëse tepër e vështirë në rrëmbimin e personazhit perfekt për ta mbajtur në mënyrë të denjë detyrën e goleadorit.

Përveç Kejnit dhe Osimhenit nuk kanë dalë emra zyrtarë nga mediat gjermane dhe ato europiane se kush mund të “zaptojë” numrin 9.

Aktualisht vetëm Çupo-Moting nga gjiri ekzistues mund ta mbulojë si hapësirë, ose Brazo të hidhet në sulm total në merkato, çka nënkupton blerjen e njërit nga sulmuesit e mësipërm, e përkthyer në shpenzim rekord.

4-4-2- Ky rreshtim do të ishte vërtetë interesant dhe qetësim në fazën ofensive. Prezenca e finalizuesit vrastar do të evitohej si problem, pasi sistemi me 2 futbollistë me tipare të avancuara e kthen fokusin te loja kolektive dhe shpërndarjen e mundësive.

Mbrojtja me katër do t’u jepte me tepër detyra ofensive anësorëve, saktësisht me Kanselon dhe Dejvisin nga korsitë respektive.

Gnabri, Kimish, Musiala dhe Sane do të plotësonin kuartetin në mesfushë, ndërsa Mylerit do t’i rezervoheshin funksione më goditëse, si shoqërues i Kolo Muanit. Transalpini 24-vjeçar do t’i shkonte për shtat modulit në fjalë, sikurse altruizmit që ai po demonstron te Frankfurti.

Gjithsesi, merkatoja po ngroh “motorët” e lëvizjeve dhe shumë faktorë mund të ndryshojnë, ashtu si planet e Tuhelit në ndërtimin e klubit më të titulluar në Gjermani në vigjilje të sezonit 2023-2024, sigurisht në bazë të rrethanave nga buxheti i rekordmenëve.