Situata e Juventusit përkeqësohet gjithnjë e më shumë me kalimin e ditëve. Bardhezinjtë mësojnë të hënën sa pikë do u heqin nga klasifikimi për çështjen e plusvalencave, por ndërkohë, po bëhen gati për një tjetër “shuplakë” nga drejtësia sportive për çështjen e pagesave në të zezë.

Gjykata Federale në Federatën Italiane ka hapur çështjen dhe i ka dërguar këto ditë bardhezinjve dokumentin mbi të cilin i akuzon për thyerje të ndershmërisë sportive pasi ka fshehur rroga dhe pagesa që u janë bërë lojtarëve dhe klubeve të tjera, duke ua kthyer në të zezë. Çështja ka dalë në pah nga hetimet e Prokurorisë së Torinos, e cila bëri një dosje të madhe me përgjime të cilat konfirmuan dyshimet që kishte rreth bardhezinjve dhe manipulimeve të bilanceve financiare.

Mediat italiane kanë zbuluar se Juventusi kërkonte të shmangte këtë goditje të dytë. “La Gazzetta Dello Sport”, bën të ditur se klubi bardhezi ishte shfaqur i hapur për një akord i cili do të mbyllte çështjen me një gjobë financiare. Por si përgjigje ka marrë një “jo” të prerë, që do të thotë se Gjykata Federale do të kërkojë heqje pikësh të tjera për bardhezinjtë nga renditja e kampionatit aktual, pas atyre që u ka hequr për plusvalencat.

I njëjti burim bën të ditur se Gjykata Federale nuk ka ndër mend që të shtyjë dënimet për vitin tjetër, por të “ngrijë” renditjen e Serisë A deri në 30 qershor, duke synuar që të ketë mbyllur çdo shkallë të proceseve deri atëherë. Kjo do të thotë se Juventusi mund të ketë dënim të dyfishtë me heqje pikësh dhe pjesëmarrja në Kupat e Europës tashmë është përsëri në dyshim.