U mendua se do të ishte një fitore e lehtë, për më tepër që Internacionalin e kishte mundur “Vllaznia B” javën e kaluar brenda në fushën e tij, por për Adën nuk ka rezultuar kështu pasditen e sotme në fushën sportive “Adriatik” të Velipojës.

Djemtë e drejtuar nga trajneri Vahedin Pepaj vetëm në minutat e fundit të ndeshjes ka arritur të përmbysë shifrat dhe të fitojë me rezultatin 3-2.

Në fakt, takimi nisi mirë për vendasit të cilët shënuan që në minutën e 7-të me anë të Kaçubelës. Një gol i tillë u duk se do t’ia bënte më të lehtë punën Adës për ta fituar këtë takim, por në fakt nuk do të ndodhte kështu. Miqtë kanë përmbysur shifrat që në pjesën e parë.

Fillimisht ka qenë Dushkaj që ka barazuar shifrat në ’26 dhe dy minuta para fundit të pjesës së parë, Kenga ka shënuar golin e dytë duke bërë që Internacional ta mbyllte këtë 45 minutësh në avantazh 2-1.

Në të dytën nuk ka qenë e lehtë për të barazuar dhe ndonëse rastet nuk kanë munguar, do të ishin pesë minutat e fundit të ndeshjes që do të vendosnin gjithçka. Dhe protagonisti për Adën do të ishte 23 vjeçari Aldi Frroku i cili fillimisht ka barazuar shifrat në minutën e 86-të dhe më pas në të 90-tën golin e tretë, atë që vulosi fitoren 3-2 për Adën.

Me këtë fitore, velipojakët janë ngjitur në kuotën e 17 pikëve duke mbajtur tashmë vendin e nëntë në renditje, duke qenë dy pikë para Vllaznia B që në fakt ka një ndeshje më pak të luajtur.
www.shkodrasport.com