Sportistja Evangjeli Veli, kampione në peshën e saj në Kampionatin Europian që u zhvillua në Tiranë dy muaj më parë, ka rezultuar pozitive në testin antidoping dhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes e ka pezulluar atë. Bashkë me atë është pezulluar edhe sportisti tjetër, Herision Ismailanj, që ka dalë gjithashtu me doping.

Vendimi u mor pasi federata botërore ka sinjalizuar zyrtarisht për përgjigjen e testit A. Deri në pritjen e përgjigjes të testit B sportistët dhe trajneri i tyre do të jenë të pezulluar, e për pasojë pezullohen edhe veprimet e tjera që kanë të bëjnë me shpërblimin e sportistes fituese apo dhe kthimin e medaljeve të fituara.

Ndërkohë, duket e habitshme sesi presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, po e anashkalon situatën pa marrë përgjegjësi për këtë rast. Njeriu që erdhi thuajse me dhunë në krye të federatës ishte dorëhequr nga një mandat i mëparshëm pikërisht për shkak të dopingut që pllakosi ekipin kombëtar.

Ai u rikthye si president i federatës, shpesh edhe me kërcënim ndaj kundërshtarëve, me pretendimin e duarve të pastra, por që njolloset edhe një herë tjetër nga dopingu. Të gjithë presin reflektimin e tij pas këtij rasti të rëndë, ku është bërë pis dinjiteti i peshëngritjes shqiptare.

Akuza e dyshime për vëllain e Pirro Dhimës

Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka marrë vendim për të penalizuar sportistët e rezultuar me doping, por duket se gishtin e ka adresuar tek vëllai i Pirro Dhimës. “Gjithashtu, dyshimet tona janë se zoti Odyseas Dimas, ka ardhur gjatë grumbullimit të sportistëve tanë kombëtar dhe është vërejtur gjatë gjithë kohës në prani të trajnerit z.Firani dhe sportistëve të tij Evagjeli Veli dhe Herision Ismailanj, të cilët kanë rezultuar pozitiv me doping në Kampionatin Europian për të rritur 2022”, shkruhet në vendimin e dhënë nga bordi. Duket qartë se FSHP-ja po bën përgjegjës për përdorimin e substancës së ndaluar nga sportistët pikërisht vëllain e Pirro Dhimës, nëpërmjet aludimit se prania e tij atje lidhet me dozimin e sportistëve.

Një federatë e tillë që s’merr përgjegjësi, por adreson faje, duket të jetë krejtësisht e papërgjegjshme, pasi në komunikatën zyrtare të bordit drejtues të federatës nuk mund të etiketohen njerëz për veprime të tilla pa pasur prova e fakte, për më tepër që kjo mund të kalojë në çështje hetimore nga organet e Prokurorisë.

Veli rrezikon të mbyllë karrierën, pasi e ka rast të përsëritur

Nga informacioni i dalë deri më tani rezulton se testi A i peshëngritëses ka patur gjurmë stanazololi, element i ndaluar kategorikisht. Nëse edhe testimi B do të nxjerrë të njëjtën përgjigje, atëherë gjithçka do të jetë përfundimtare dhe Evangjeli Veli si përsëritëse, rrezikon deri në 8 vite pezullim, pasi edhe në vitin 2018 ka rezultuar pozitive ndaj dopingut, me steroid anabolik. Rezultati i testit B del në muajin shtator.

Mundet që sportistja të ndërmarrë hapa ligjorë për këtë rast. Shanset që rezultati i testit B të jetë i ndryshëm nga A janë thuajse zero. Evangjeli Veli me 3 medaljet e fituara 2 ari dhe një argjendi do të përfitonte 72 mln lekë të vjetra e VKM, por tani do t’i duhet të dorëzojë medaljet e marra./gazeta-sot/