Trajneri i njohur turk, Volkan Demirel ndodhej dje në Shqipëri për të vëzhguar nga afër takimin mes Erzenit dhe Bylisit. Demirel i cili ka qenë portier shumë i njohur në Turqi, ku ka mbrojtur ngjyrat e Fenerbahces në të kaluarën dhe poashtu ka mbrojtuar ngjyrat e kombëtares turke.

Pas shkarkimit të trajnerit Xhevahir Kapllani, në Shijak është hedhur ideja që turku mund të marrë drejtimin e skuadrës së Erzenit në ndeshjet e mbetura. Momentalisht në krye të pankinës është emëruar zëvëndes trajneri Alfred Deljallisi.

Kjo ka bërë që të hidhet hipoteza që Demirel do të drejtojë shijakasit në objektivin mbijetesa. Por për momentin nuk ka asgjë konkrete apo të zyrtarizuar. Por nderkohe ka reaguar drejtori i përgjithshëm i klubit Erzeni, Ervis Xhafa, i cili zbulon arsyen e vërtetë të vizitës së tij në Shqipëri. Xhafa zbulon se Demirel ishte duke vëzhguar talentin Adnard Mehmeti dhe për të vlerësuar 2 lojtarë të tjerë.

“Volkan Demirel ishte I pranishëm në ndeshjen Erzeni – Bylis për të ndjekur nga afër lojtarin e Erzenit Adnard Mehmeti, I cili është kërkuar edhe nga disa klube Europiane.

Gjatë vizitës së tyre, Demirel me stafin e tij drekuan me presidentin e Erzenit z.Durim Keci ku biseduan në lidhje me bashkëpunimin midis dy klubeve dhe nga të dy akademitë përkatëse. Demirel ishte me dy bashkëpunetor të tij ku dha vlerësime edhe për dy lojtarë të tjerë”, sqaron drejtori Xhafa.