Barcelona është duke punuar me forca të shumta në mënyrë që të arrijë të federojë në kohë dhe përpara ditës së nesërme dy transferimet: Memfis Depaj dhe Erik Garsia. Nuk është e njëjta situatë me Serxho Agueron, i cili është i dëmtuar dhe do të pritet deri në ditët e fundit të merkatos, ku do të ketë lëvizje të shumta.

Ndërkohë, Emerson Rojal është pjesë e listës, sepse nuk bëhet fjalë për një transferim, por për huazim nga Betisi dhe braziliani rikthehet në klubin e origjinës.

Në klubin katalanas janë të bindur që nuk do të kenë probleme për të federuar dy lojtarët e transferuar në këtë merkato, në mënyrë që ata të luajnë në ndeshjen kundër Sociedadit. Sigurisht që ekziston edhe një frikë që mund të mos i bëjnë dot llogaritë.

Paraditen e djeshme kishte më shumë optimizëm për faktin se drejtuesit po flasin me disa futbollistë për uljen e rrogës vjetore. Barcelona ka arritur limitin dhe maksimumin e lejuar nga La Liga, prandaj ose duhet të largojë futbollistë, ose duhet të ulë rrogën e atyre të federuarve.

\Memfis Depaj është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe nëse Barcelona nuk ia del që ta federojë, atëherë Ronald Kuman do të bëhet me dhimbje koke. Largimi i Mesit ka bërë që alternativat në këtë repart të jenë të pakta.

MANAJ- Dhe nëse ka një person të lumtur në këtë histori është Rei Manaj. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare mund të debutojë në La Liga, në rast se Depaj nuk ia del që të federohet. Sigurisht që ai mund të marrë minuta edhe nëse holandezi do të jetë titullar. Manaj ka bërë një fazë përgatitore të shkëlqyer duke shënuar 4 gola në ndeshjet miqësore.

Në këtë mënyrë ai tërhoqi vëmendjen e trajnerit Kuman, por edhe të disa skuadrave. Nuk dihet ende nëse do të largohet apo jo, por për momentin ai po pret debutimin.

Vetë Manaj ka publikuar një foto në rrjetet sociale duke thënë se tani fillon më e bukura, duke iu referuar kampionatit spanjoll. E ardhmja e sulmuesit shqiptar pritet të qartësohet me kalimin e këtyre dy javëve.

Nuk përjashtohet mundësia që ai të qëndrojë në skuadrën katalanase në rast se do të bëjë diçka pozitive në fushë. Në fakt, katalanasit donin ta përdornin Manajn për të fituar disa miliona.