Kjo javë në të cilën kemi hyrë pritej të ishte shumë vendimtare për ndërtimin e Vllaznisë e sezonit të ardhshëm. Megjithatë deri më tani, me përjashtim të firmave të hedhura në kontratë të Herald Markut dhe Dajan Shehit, ende nuk ka asnjë kontratë tjetër të firmosur.
Kjo do të thotë se për formatimin e ekipit do të duhet edhe disa kohë dhe për më tepër, gjëja e parë që duhet bërë është përzgjedhja e trajnerit të ri. Për këtë të fundit ende nuk ka asgjë konkrete dhe kjo e vështirëson edhe më shumë nisjen sa më shpejt të punës.
Ndërkohë, sa i takon merkatos, çdo ditë po flitet për shumë emra me të cilët është kontaktuar apo dhe po përfliten për të ardhur tek Vllaznia, por në fakt ende nuk ka asnjë lëvizje tjetër konkrete.
Kampionati i ardhshëm pritet të jetë edhe më i vështirë nga këta të fundit sepse sipas vendimit të fundit të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, përveç dy skuadrave të vendeve të fundit që bien direkt në kategorinë e parë, edhe vendi i tetë do të jetë i rrezikuar sepse për të do të ketë një ndeshje plej- auti.
Ky rregull i ri do të thotë se për ekipin shkodran gjërat vështirësohen edhe më shumë dhe nëse nuk ka një projekt serioz, ai do të rrezikojë seriozisht rënien nga Superliga.
Këtë padyshim që askush nuk e dëshiron dhe përpjekjet janë për të ndërtuar një skuadër të fortë, megjithatë Vllaznia duket ende larg realizimit të këtij projekti. Vetëm dy firma deri më tani, janë shumë pak për një skuadër që është thënë se do të riformatohet thuajse tërësisht.