“De Juro” ende nuk ka nisur punën si kryetari i ri i Bashkisë Shkodër, por tashmë Valdrin Pjetri ka treguar se çdo të ndodhë me Vllazninë. Në një prononcim për mediat lokale në Shkodër, ai ka qenë i qartë me mesazhin e tij për Suad Licin, për të cilin ka deklaruar se do të rishikohet pozicioni i tij.

Gjithashtu tregon se objektivi madhor është privatizimi i klubit dhe në fund i tërheq veshin Licit për afrimet në këtë merkato vere. Pra, siç shihet te kuqeblutë do të ketë ndryshime.

“Administratori të jetë i kujdesshëm me blerjet që është duke bërë. Nuk është momenti për të bërë qokat në blerjet e lojtarëve që janë në rezervat e ekipeve. Ky është i vetmi mesazh që kam për administratorin. Vllaznia nuk është e atij, as e imja, por është e gjithë shkodranëve. Nuk është pronë dhe s’mund të bëhen qoka individuale me blerje skarco. Vllaznia është aset i shkodranëve.

Orientimi do të jetë privatizimi i klubit. Duhet parë ligjërisht procedura. Nuk ndodh në ditën 0. Ka rreth 1 miliard borxhe. Për sa i përket pjesës së borxheve do të merret dikush tjetër. Do ta shohim në vazhdim.

Për sa i përket lëvizjes së administratorit dhe drejtorit teknik, do ta shohim në vazhdim”, ka deklaruar ai.