Atleti shkodran Franko Burraj bashkë me trajnerin Bruno Rrotani mbrëmjen e së hënës kanë udhëtuar drejt Suedisë, për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të 23 vjeçarëve.

Ai do të konkurrojë në garën e 400 metrave, garë e cila do të zhvillohet ditën e premte. Forma sportive e Burrajt është shumë e mirë dhe pritshmëritë ndaj tij janë shumë të larta.

Trajneri Rrotani përpara nisjes për në Suedi është shprehur se sportisti I tij pretendon të thyejë rekordin e tij të garës së 400 metrave, por synon edhe të futet në zonën e medaljeve, çka do të ishte një rezultat I shkëlqyer për të.

Por nga ana tjetër, Europiani I Suedisë do të jetë kualifikues edhe për Kampionatin Botëror që zhvillohet në muajin shtator në Katar. Për të siguruar pjesmarrjen në këtë eveniment shumë të rëndësishëm botëror, atletit të Vllaznisë I duhet që të kapë normën në garat e Suedisë dhe kjo nuk do të jetë aspak e lehtë por jo e paarritshme.

Burraj është tashmë atleti më në formë I vendit bashkë me Izmir Smajlajn. Ai vitin e kaluar ka thyer rekordin kombëtar të garës së 400 metrave, ndërsa sivjet, në garat e zhvilluara në stadiumin “Loro Boriçi” me rastin e 100 vjetorit të klubit Vllaznia, theu edhe rekordin kombëtar të garës së 200 metrave. Këto dy rekorde tashmë janë bërë “pronë” e tij dhe ajo çfarë presim nga 21 vjeçari tashmë janë medaljet në arenën ndërkombëtare.