Tirana luan nesër me Vllazninë në 16:45 për javën e 25 të Superligës. Sfida e “Loro Boriçit” është komentuar nga trajneri i bardhebluve. Orges Shehi e ka cilësuar delikate sfidën e Shkodrës, për vetë traditën dhe historinë mes klubeve.

Nga ana tjetër, durrsaku ka folur për përqëndrimin në këtë fazë, duke treguar se mungesa e Totre dhe Toshevski nuk duhet të ndihet nesër. “Vij në punë me mendimin se do jem gjithmonë trajneri i Tiranës dhe iki po me atë ide”, tha mes të tjerash Shehi.

“Vllaznia? Për shkak të traditës dhe cilësisë, nesër do jetë një ndeshje e rëndësishme. Po e trajtojmë me mendje të ftohtë për të marrë vendime të duhura.

Mungesat? Shpresojmë mos ndikojnë, pasi kemi luajtur edhe në ndeshjet e tjera me mungesa. Janë me peshë mungesat, janë lojtarë të rëndësishëm Totre dhe Toshevski. Shpresojmë që të jemi në vazhdën e asaj që thashë, skuadra mos varet nga lojtarët por nga grupi.

Barazimi i fazës së shkuar? Ishte ndeshja e parë dhe lojtarët nuk ishin gati. Tanimë jemi ndryshe, ndeshja nuk i ngjan një ndeshjeje. Duke qenë se jemi gati dhe 90 përqind si kemi luajtur në ndeshjet e fundit, jam optimist.

Faza e sezonit dhe ritmi – Vijmë pas një periudhe të mirë, e kemi treguar me lojë dhe pikë. Tani merr frytet e sezonit, duket të jemi të kujdesshëm sepse është fazë delikate ku shpalosen objektivat. Ndeshjet marrin një këndvështrim tjetër. Na del punë për të pasur vazhdimësi. Është pjesa më delikate dhe e rëndësishme e sezonit.

Futbolli nuk është vetëm fizik apo taktik, por edhe psikologjik. Besimi që lojtarët kanë te vetja dhe te shokët, është e rëndësishme. Duke mos pasur probleme fizike, nuk besoj se do kemi edhe muaj që vijnë. Të fokusohemi te ana psikologjike, objektivat janë pranë.

Trajneri më jetgjatë pas Maganit – Vij në punë me mendimin se do jem gjithmonë trajneri i Tiranës dhe iki po me atë ide. Njeriu jeton me presion nga e kaluara dhe është në ankth për të ardhmen. Rëndësi ka të fokusohemi te e tashmja që është nesër”, tha Shehi.