Shkruar nga Endri ÇINARI
Në javën e 14-të të Kategoria e Dytë, në përballjen mes Luzit 2008 dhe Basanias, një emër spikati mbi të gjithë në radhët e bushtasve: Vildan Kaçubela.
Sulmuesi shkodran ishte pa diskutim lojtari më i mirë në fushën e lojës për skuadrën e tij, pavarësisht humbjes 3-1. Ai realizoi golin e vetëm për Basanian, një gol që erdhi si shpërthim force dhe vendosmërie, duke mbajtur gjallë shpresat e ekipit në një transfertë të vështirë. Por kontributi i tij nuk u kufizua vetëm te rrjeta e tundur – Kaçubela ishte konstant rrezik për mbrojtjen kundërshtare, fitoi duele, hapi hapësira dhe udhëhoqi repartin ofensiv me personalitet. E gjithashtu sakrifikoi edhe në prapavijë duke ndihmuar shumë skuadrën e tij.
Megjithatë, përtej statistikave dhe rezultatit, ky realizim duket se kishte një domethënie krejt të veçantë për sulmuesin. Së fundmi, përmes rrjeteve sociale, Kaçubela ka ndarë lajmin e bukur se ai dhe bashkëshortja e tij janë në pritje të një fëmije. Një moment i artë në jetën personale, që duket se i ka dhënë edhe më shumë emocion atij goli të shënuar.
Ndoshta nuk shërbeu për të ndryshuar fatin e ndeshjes për Basanian, por për Vildan Kaçubelen ai gol do të mbetet ndoshta më i ëmbli në karrierë – një dedikim i heshtur, por plot ndjenjë, për foshnjën që pritet të vijë në jetë. Në një sezon me ulje-ngritje, sulmuesi shkodran tregoi se futbolli dhe jeta shpesh ndërthuren në mënyrën më të bukur të mundshme.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


