Vllaznia e Mirel Josës ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e rradhës ndaj Flamurtarit për Kupë. Për këtë përballje, e veçanta do të jetë aktivizimi si titullar i fantazistit Kristijan Vulaj.

Afrimi i bujshëm i klubit shkodran pritet ta nisë nga minuta e parë sërish kundër Flamurtarit, ashtu siç ndodhi edhe në ndeshjen e parë në Vlorë, ku edhe shënoi golin e vetëm për Vllazninë. Në ditët e fundit të stërvitjeve, Josa ka provuar Vulajn në rolin e fantazistit, pas pozicionit të sulmuesit.

Në fakt, në ndeshjen e nesërme ndaj Flamurtarit, pritet një Vllazni sulmuese në Shkodër, teksa do të kërkohet të dilet vetëm me fitore nga kjo përballje e vështirë, në mënyrë për t’u kualifikuar në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Prandaj, trajneri Josa ka menduar që të ndryshojë edhe modulin e lojës, duke luajtur me 4-2-3-1, skemë kjo që jep hapësirë edhe për fantazistin shqiptaro-malazez, Kristijan Vulaj.

Humbja në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit nuk i ka lënë të kënaqur shkodranët, të cilët këtë sezon kanë synime madhore. Megjithatë, është vetëm fillimi i kampionatit dhe drejtuesit janë të bindur se, forca e vërtetë e skuadrës do të dalë në pah në ndeshjet e rradhës.
Maringlen ZHIVANI