Vllaznisë që prej ardhjes së Qatip Osmanit në krye të pankinës shkodrane. Mesfushori 20- vjeçar shkodran shënoi dje kundër Dinamos një supergol me të majtën nga jashtë zone, duke i dhënë tri pikë të arta kuqebluve, që tashmë e shohin veten në vendin e dytë me tri pikë më tepër se Partizani.

“Të jem i sinqertë, e parandieja që do të arrinim të fitonim kundër Dinamos, pasi e kishim përgatitur mirë këtë takim gjatë javës stërvitore. Normalisht që gjithmonë dëshiroj të shënoj, edhe pse nuk jam sulmues tipik, por kur më jepet mundësia, e tentoj portën nga çdo pozicion. Kam bërë goditje të tilla edhe në ndeshje të tjera, por nganjëherë fati nuk ka qenë me mua”, ka thënë fillimisht Alivoda për “Panorama Sport”.

I ngacmuar për atë që i ka kërkuar trajneri Osmani në këtë periudhë, ku dhe ka qenë titullar fiks, mesfushori u shpreh: “Po, vetë trajneri më ka kërkuar që të bëj goditje drejt portës nga pozicione të tilla”. Por çfarë ka ndryshuar te Vllaznia që tashmë po ecën me hap kampioni? I riu mendon se në skuadër ka një harmoni të plotë.

“Ka ndryshuar mentaliteti. Në skuadër ka shumë dëshirë dhe gjithçka është në harmoni. Jemi në vendin e dytë, por asgjë s’ka përfunduar. Ka ende shumë takime dhe ne duhet të vazhdojmë me këtë rritëm. Me grupin që kemi do të luftojmë deri në fund në të dyja kompeticionet”, deklaroi shkodrani për gazetën.