Naxhi Shensoji firmosi disa javë më parë me skuadrën e Lirisë në ligën e parë të Kosovës. Shensoji është një emër I njohur edhe për Kategorinë Superiore pasi drejtoi Bylisin dhe Kukësin. Me ekipin ballshiotë arriti të shkonte deri në finalen e Kupës duke u mundur më pas nga Laçi.

Në njër intervistë për “Arena Sportive”, Shensoji është rikthyer të flasë për aventurën e tij në Shqipëri dhe nuk i ka kursyer thumbimet për dy ish presidentët, Safet Gjici i Kukësit dhe Besnik Kapllanaj i Bylisit. Shensoji hodhi akuza të forta edhe për humbje në finale e Kupës nga Laçi teksa theksoi se arbitrat I vodhën ndeshjen.

“Shumë herë më kanë pyetur në Azerbejxhan nëse filozofia ime është nga futbolli turk apo jugosllav. E kam thënë këtë gjë dhe nuk kam arsye përse ta fshehim. Unë e kam transmetuar filozofinë e futbollit jugosllav dhe për këtë duhet të flasim me argumente.

Kjo është njëra ndër arsyet përse ndoshta në Shqipëri xhelozojnë. Atje nuk i duan trajnerët nga Kosova, unë isha i pari dhe me gjasa kam mbetur i fundit, pasi që askush më tjetër nuk ka shkuar”, deklaroi fillimisht Shensoji në emisionin “Arena Sportive” në “RTK”.

Aventura në Shqipëri? “Të dish dhe të duash janë dy gjëra krejtësisht të kundërta. Ata që financojnë në klubet sportive janë si Skënderbeu me internetin. Shembull Safet Gjici i Kukësit dhe Besnik Kapllanaj i Bylisit nuk kanë lidhje me futbollin dhe janë shumë larg tij”, shtoi ndër të tjerash Shensoji.

“Kam arritur në finale me Bylisin, një skuadër jo shumë e madhe, por që arriti një sukses të madh. Në finale arbitrat na vodhën ndeshjen dhe këtë mund ta them lirisht. Që nga ajo kohë, skuadra e Bylis asnjëherë më nuk pati këso suksesi”, përfundoi Shensoji./newsport/