Sheshohen “xixat” te Vllaznia. Hysen Dedjes nuk i ka pëlqyer aspak sjellja e Renato Malotës karshi Silvio Zhuniorit në ndeshjen e fundit, ndaj edhe paralajmëroi se kjo histori do të diskutohet gjerësisht. E kështu ndodhi, pasi dje është analizuar me detaje ai sherr në distancë mes palëve.

Disiplina dhe harmonia për trajnerin janë parësore, ndaj dje pasdite u ndalën edhe te kjo temë. Mbrojtësi e ka pranuar se gaboi dhe për pasojë i ka kërkuar falje sulmuesit. Dhe, si për të konfirmuar pajtimin, ka pasur edhe një përqafim mes palëve.

Gazeta “Panorama Sport” mëson se trajneri ua ka bërë të qartë futbollistëve që probleme të tilla nga tani e tutje të evitohen në mënyrë kategorike. Vllaznia ka halle shumë herë më të mëdha, sesa të ketë përçarje të tilla.

ÇFARË NDODHI

Fundi i takimit të parë çerekfinal Vllaznia-Teuta solli jo pak tension në fushë. Ai barazim në frymën e fundit nuk u prit aspak mirë nga vendësit. Gabimet e shfaqura 15 minuta para vërshëllimës finale të Enea Jorgjit shthurën ekipin.

Pak sekonda para se Dejvid Kapllani të barazonte në 2 me 2 shifrat për miqtë, Vllaznia shpërdoroi një rast ideal. Ishte e 92-ta minutë kur Lika dhe Krymi u kombinuan më së miri mes tyre dhe nxorën të lirë Zhuniorin, por ai gjuajti vetëm jashtë. Në një kohë që pritej të shkonte ndeshja në 3 me 1, situata u përmbys.

Kjo gjë nuk u prit mirë prej qendërmbrojtësit, i cili në distancë ka debatuar me brazilianin dhe teksa futej në dhomat e zhveshjes, u pa realisht i mërzitur. Por, tensioni brenda grupit nuk është përshëndetur prej teknikut dhe këtë e përmendi gjatë daljes para mediave.

“Më vjen keq për pjesën e dytë dhe shthurjen taktike që patëm. Por, lodhja bën të vetën edhe kundërshtari ishte si ne. Në këto dy seanca që kam bërë me Vllazninë, vura re që kishte probleme fizike. Gabuam edhe në disa raste të tjera, nuk patëm disiplinë dhe do të ndalem gjatë te kjo. Kishte një shpërthim nga Malota ndaj Zhuniorit. Kjo nuk është e mirë në një ekip profesionist”, pati deklaruar 59-vjeçari.

Edhe vetë Malota foli në analizë, duke i shpjeguar atë që i kishte kërkuar brazilianit në fushë. Mbrojtësi para të gjithëve i ka kërkuar edhe ndjesë për atë veprim momental të tij, madje edhe e përqafoi brazilianin në shenjë pajtimi.