Ndeshja e djeshme e javës së 24-rt e kampionatit në Kosovës Llapi-Drenica 0-2 mund të përfundojë në zyrën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

“Indeksonline” raportoi ditën e djeshme se sekretari i klubit të Llapit Muhamet Rexhepi debatoi me dy lojtarët e skuadrës Labinot Osmanin dhe Mentor Zhdrrelën duke i akuzuar se kanë shitur takimin në dëm të ekipit nga Podujeva.

Ndërkohë, më pas “Gazeta Olle” kontaktoi prokurorin Besim Kelmendin, i cili bëri me dije se po bisedohet me presidentin e Federatës së Futbollit në Kosovë Agim Ademi për të nisur menjëherë hetimet rreth takimit në fjalë.

“Kam folur me kryetarin e Federatës Agim Ademi dhe jemi shumë të interesuar të fillojmë hetime për të parë çdo dyshim të mundshëm dhe po pres që shumë shpejtë Prokuroria Thelemore e Prishtinës të fillojë të merret me këtë çështje pasi jemi shumë të interesuar të zbulojmë dhe të verifikojmë çdo dyshim të mundshëm”, deklaroi prokurori Besim Kelmendi.

Rezultati i takimit ka shkaktuar një kaos të madh në ambjentin sportiv në Kosovë.